PS: Qeveria, 1 miliard lekë borxh ish-ushtarakëve
Partia Socialiste akuzon qeverinë se nuk zbaton vendimet e miratuara prej saj dhe se nga ana tjetër po zvarrit procesin e dhënies së pensioneve suplementare për ish-ushtarakët. Ilir Beqja, nënsekretari për Programin në Partinë Socialiste, tha se qeveria duhet të shlyejë urgjentisht detyrimet që ka ndaj shtresës së ish-ushtarakëve. “Në 16 prill 2006 ka hyrë në fuqi Ligji 9841, i cili prej dy vjetësh ende nuk është realisht i zbatuar. Në fakt është një ndryshim i ligjit të sigurimeve shoqërore suplementare të ushtarakëve (ligji 9481). Por, pasi u pakësoi të drejtat ish – ushtarakëve me ligj, që prej dy vjetësh nuk po ua jep as ‘me Maliq’ ato përfitime që u njeh ligji. I kujtojmë kryeministrit se qeveria e tij u ka më shumë se mbi 1 miliard lekë borxh ish-ushtarakëve. I kërkojmë kryeministrit të mos bëjë demagogji duke kërkuar zbatim të vendimeve të gjykatave të shkallës parë kur qeveria e tij nuk zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese. I kujtojmë kryeministrit Berisha, që Vendimi nr. 9, datë 26 shkurt 2007, i Gjykatës Kushtetuese i ka dhënë të drejtë Shoqatës së Ushtarakëve”, - tha Beqja.
17 Prill 2008