Prokuroria ngre tre akuza për autorët e konfliktit të Himarës
VLORË - Prokuroria e Vlorës ka ngritur tre akuza për personat e përfshirë në ngjarjen e Himarës të ndodhur një javë më parë. Zëvendësprokurori i Prokurorisë së Vlorës, Dorjan Tafili, tha se "aktualisht vazhdon pyetja e dëshmitarëve dhe grumbullimi i provave në funksion të hetimit". Sipas Tafilit, pjesë e procesit hetimor janë 5 qytetarë të Himarës, si dhe dy punonjës të Postës së Policisë së këtij qyteti, të cilët aktualisht janë pezulluar nga detyra. Ai konfirmoi gjithashtu se në fund të procesit hetimor do të vendoset për përgjegjësinë penale përkatësisht të personave të mësipërm. Burime nga grupi hetimor thanë se personat e përfshirë në këtë incident do të hetohen për tre akuza, përkatësisht për "kundërshtim me dhunë të forcave të rendit", "nxitje të urrejtjes nacionale" dhe "shpërdorim detyre". Në datën 10 prill rreth orës 19:30, një grup prej rreth 70 persona qëlluan me gurë në drejtim të Postës së Policisë në Himarë. Shkak i kësaj proteste, sipas burimeve të policisë, ishte debati mes dy punonjësve të policisë me shtetasin Vasil Zoto, lidhur me shoqërimin e djalit të tij, Manol Zoto dhe shokut të tij, Jorgo Rrapi, rreth orës 01:00 të asaj dite. Këta të fundit u shoqëruan pasi fyen dhe kundërshtuan punonjësit e policisë, të cilët ndaluan mjetin e tyre me targa të huaja. Ndërkohë dy shtetasit e shoqëruar qëndruan në polici për rreth dy orë dhe më pas u lanë të lirë, por në shenjë proteste shtetasi Vasil Zoto debatoi me specialistin e krimeve pranë kësaj poste duke ngritur pretendimin se djali i tij ishte keqtrajtuar. Sipas burimeve të Policisë së Shtetit, rreth orës 17:30, në kohën që punonjësit e policisë ishin duke patrulluar në qytet, shtetasi Vasil Zoto i ka goditur me mjete të forta, si dhe i ka ofenduar. Për pasojë mbetën të plagosur dy punonjës të policisë në postën e Himarës. Sapo punonjësit e policisë janë larguar në drejtim të postës, grupi prej 70 personash ka nisur të qëllojë me gurë. Disa prej personave që ndodheshin në turmë tentuan të futeshin në ambientet e postës së policisë, por nuk u lejua nga efektivat e saj. Personat e mbledhur përpara postës, hodhën parulla, “Larg policia nga Himara”, “Keni dhunuar djemtë tanë”, sipas burimeve policore.
17 Prill 2008