Debat në Komisionin e Ligjeve, Kryeprokurori me mandat 5-vjeçar
Gjatë pasdites së djeshme Komisioni i Ligjeve ka vazhduar diskutimet mbi ndryshimet në Kushtetutë, por që është përfshirë nga një debat i ashpër, ku nuk kanë munguar edhe bojkotimet nga deputetët. Komisioni i Ligjeve ka miratuar mandatin e kryeprokurorit, i cili do të jetë 5 vjet me të drejtë rizgjedhje. Deputetët e të dyja krahëve kanë miratuar edhe heqjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Kushtetuta dhe kalimin e tij në Kodin Zgjedhor. Gjuha e përbashkët ka munguar në ndryshimet e tjera. Deputetët kanë debatuar në lidhje me mënyrën e zgjedhjes së presidentit. Kjo pikë duket se ka nxjerrë në pah problemet brenda Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Deputetët Sula dhe Dajçi kanë mbrojtur idenë e zgjedhjes së presidentit nga populli, por kjo pikë nuk është mbështetur as nga kryetari demokrat i Komisionit të Ligjeve, Beja, i cili ka mbrojtur variantin e relatores Trashani. Varianti i propozuar nga Trashani parashikon një votim me dy raunde me tre të pestat e votave në Kuvend, ndërsa në raundin e tretë presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Debati ka vazhduar më tej duke bërë që deputeti i LSI-së, Spartak Braho, të bojkotojë mbledhjen e komisionit. Deputetët kanë diskutuar edhe për mocionin ndaj kryeministrit, por që në fund të mbledhjes nuk kanë vendosur për asnjë nga pikat në të cilat pati debat të ashpër.
17 Prill 2008