E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpëtim Duro: Jeta ime midis Brigelit dhe Bariç

Albania-sport.com- Nga "spiun sportiv" i trajnerit gjerman Hans Peter Briegel, te asistent i teknikut kroat, Oto Baric, nga trajner i sukseshëm i Kombëtares U-19 në seleksionues të "furrës" të parë të kuqezinjve, U-17. Shpëtim Duro, ish-trajner i njohur i disa ekipeve shqiptare (Bylis, Apolonia, Dinamo, Partizani) është i ftuari ekskluziv i Albania-sport.com. Shpëtim Duros edhe sot moskualifikimi në finalet e Kampionatit Europian në Andora përbën një nga brengat më të mëdhaja për ish-trajnerin e përfaqësueses U-19, Shpëtim Duro. "Ishte një punë dy-tri vjecare me lojtarët e datëlindjes 1988. Moskualifikimi në Andora më shqetësoi jashtë mase, kur ai ishte tërësisht i padrejtë, kur kam parasysh se erdhi si pasojë e një marrëveshje kompromisi të hapur të Rusisë me Sllovakinë, ndaj një kundërshtari modest si Shqipëria", pohon ish-trajneri i disa ekipeve shqiptare (Bylis, Apolonia, Dinamo, Partizani). "Kontributi i futbollistëve të rinj shqiptarë është për t'u vlerësuar. Skuadra jonë doli me pikë të barabarta me Rusinë, Sllovakinë (nga 6 pikë) dhe u eliminuam falë diferencës së një goli në golaverazh", shton ish-futbollisti i njohur i Partizanit të viteve '80-90. Nga ai grup lojtarësh Duro vecon: portierët Olti Bishani (Vllaznia) dhe Allmeta (Olimpku T), sulmuesët Enco Malindi (Partizani), Erando Karabeci (Partizani), Cela, Traga e Verli (të tre të Dinamos), Vila (Teuta), Arbëri (Tomori), Shiba (Rexhina, Itali), Cota (Torino, Itali), mesfushorin Jahmir Hyka (Rozenborg, Norvegji) që e vlerëson si më të talentuarin e grupit U-19.Albania-sport.com bisedoi gjatë me asistentin e Baric, për të njohur nga afër shqetësimet dhe përgatitjet e Shqipërisë për grumbullimin në Antalia, miqësoren me Maqedoninë, sfidën zyrtare me Slloveninë.
Albania-sport.com: - Duro, jeni një nga ndihmësit e trajnerit të Komëbëtares, kroatit Oto Baric, njëherësh edhe trajneri i përfaqësueses shqiptare U-17. Sapo është mbyllur grumbullimi i radhës me disa nga talentet e kampionatit shqiptar të moshave
Shpëtim Duro: - Është vetëm faza e parë e grumbullimit me kandidatët për ekipin Kombëtar U-17. Në janar nisi faza e para e seleksionimit më skuadra të ndryshme të kësaj moshe, kryesisht nga qyteti i Tiranës: skuadra e Shkëndia-s, të gjitha skuadrat e Dinamos. Shumë shpejt do të vazhdojmë edhe më përzgjedhjen në periudha të tjera për të përzgjedhur edhe elementë më të mirë nga skuadrat e Partizanit, Tiranës, Olimpikut të Tiranës dhe me pas do të vazhdojmë me të gjitha skudrat e Shqipërisë. Sigurisht që është e vështirë për të seleksionuar më të mirët e datëlindjes 1990-1991, pasi dhe koha në dispozicion është e shkurtër. Më të mirët profesionalisht do të përfaqësojnë Shqipërinë në Kampionatin Europian U-17. Ekipet me të cilat do të ndeshet vendin ynë do të dalin nga shorti që do të hidhet në muajin mars.
- Cfarë vëmendje iu kushtuat lojtarëve që aktizohen jashtë Shqipërisë?
- Një vëmendje të madhe do t'u kushtojmë edhe lojtarëve që luajnë në kampionatet e huaja, ku numrim më të madh e zënë emrat e propozuar nga Zyra e Talenteve në Gjermani dhe Greqi. Në grumbullimin e datave 9-10 janar nuk erdhën lojtarë të datëlindjes 1991 nga kampionatet e huaja, përvec Dylës që erdhi nga Cezena (Itali). Një lojtar që kishte vlera dhe do të rishihet sërish. E kam pasur metodë të punës sime bashkëpunimin me Zyrat e Talenteve për ta pasuruar listën me talente nga Greqi, Italia, Gjermania. Emra të tillë si Cota apo Shiba (Rexhina) tashmë luajnë për përfaqësuesen U-21. Personalisht cmoj cdo lojtar që ka të dhëna dhe premton. Për cilësorët dyert jo vetëm të përfaqësueses U-17, por edhe për më tej janë të hapura.
- Duro, keni luajtur jo pak herë emisarin e posacëm të ish-trajnerit të Kombëtares, Hans Peter Briegel, në rolin e "spiunit" sportiv...
- Është e vërtetë. Shpesh herë kam shërbyer si konsulent i Briegelit dhe kam zbatuar me korrektësi kërkesat e vendosura prej tij. Kam qenë i pranishëm në disa ndeshje miqësore dhe zyrtare, kryesisht të ekipit grek. Kam vrojtuar ndeshjen miqësore Ceki-Greqi dhe atë zyrtare Greqi-Danimarkë. Me Briegel kam pasur raporte të mira.
- Para disa kohësh ju ndërmorët një mison vëzhgimi në Greqi për të ndjekur në aksion mbrojtësin Kristi Vangjeli. Cika ishte përshtypja juaj për të?
- Ishte një detyrë e vendosur nga trajneri Oto Baric për të vëzhguar nga afër ish-futbollistin e Shpresave. E ndoqa në takimin Aris i Selanikut-Apolon Kallamarja (ekipi ku luan Alban Bushi). Krijova një pëershtypje të plotë, ndërsa informacionin e detajuar teknik ia përcolla trajnerit Baric.
- Në rolin e asistentit të dytë të Baric, pas ndihmësit të parë Sllavko Kovacic. Sa shërben eksperienca e Baric për ish-trajnerin e disa ekpeve elitare shqiptare?
- E konsideroj të privelegjuar veten të jem asistent i një trajneri me një eksperiencë të cmuar ndërkombëtare. Baric është tipi i teknikut që krijon marrëdhënie shumë të afërta me ndihmësit, ndërsa konfidencialisht dua të shtoj se dhe Kovacic e konsideron me të njëjtin matës të qenit asistent i Otos. Është një pozicion që nuk e ka patur asnjë trajner tjetër shqiptar më parë. Ndihem shumë komod, por nga ana tjetër dhe shumë impenjues. Momentet e para nuk kishim shumë marrëdhenie të afërta, por me kalimin e kohës, u bënë shtatë muaj që Baric është në krye të Kombëtares, raportet tona janë të afërta. Të tilla janë edhe me kolegun tim, Kovacic, një profesionist i vërtetë dhe i regjur në punët e futbollit. Nuk dua të përjashtoj edhe raportet e mia me Foto Strakoshën, trajnerin e portierëve, të cilat janë shumë efikase.
- Sa ndryshon për Duron, gjermani Hans Peter Briegel nga kroati Oto Baric, gjithmonë në aspektin profesional?
- Me Briegel kam bashkëpunuar për detyra të vecanta, ndërsa me Baric jam duke punuar si ndihmës i tij. Secili nga të dy trajnerët kanë të mirat dhe anët negative të tyre. Secili është një personalitet në punën e tij. Kam respekt për Briegel dhe i gjithë opinioni sportiv duhet të vlerësojë punën dhe arritjet e tij. Me Baric punoj më nga afër dhe sigurisht që e njoh nga shumë detaje, edhe pse periudha e tij është shumë e shkurtër në krye të përfaqësueses shqiptare. Baric është një teknik shumë i aftë në cështjet e trajningut, ndërsa Briegel të "urdhëronte" me vlerat e tij si ish-futbollist. Unë mendoj se është një gjë shumë e mirë për Shqipërinë që në pesë vitet e fundit ka patur dy emra të mëdhenj në drejtimin e Kombëtares.
- Le të ndalemi të miqësorja e 7 shkurtit me Maqedoninë. Një test shumë me vlera përpara ndeshjes zyrtare me Slloveninë, më 24 mars.
- Është një miqësore shumë e afërt dhe tepër e domosdoshme. Kjo vlen shumë për trajnerin Baric, i cili nuk e ka patur mundësinë për të zhvilluar takime miqësore, përvec asaj me San Marinon (gusht 2006). Baric u përball shumë shpejt me tri ndeshje zyrtare brenda një periudhe 40 ditore: me Bjellorusinë (2 shtator 2006), Rumaninë (6 shtator 2006) dhe Holandën (11 tetor 2006), dhe ndoshta dhe rezultatet nuk ishin ato që i gjithë opinionin sportdashës priste. Dua të kujtoj edhe dështimin e miqësores me Kongon në Angli (15 nëntor 2006), nga e cila Baric priste shumë. Parë në këtë kontekst, miqësorja me Maqedoninë fqinjë paraqitet tepër me vlera për testimin e lojtarëve dhe konfigurimin e skuadrës, pse jo dhe ndonjë ndryshim në modulin e lojës.
- Grumbullimi në Antalia i Kombëtares B, por me shumë elementë të asaj A, vlerësohet si një mundësi e mirë për Baric, kur në dispozicion ka disa kandidatë të rinj për të veshur fanellën e përfaqësueses?
- Cdo grumbullim është i rëndësishëm. Në Antalia do të marrin pjesë shumë lojtarë nga kampionati shqiptar dhe një listë e pasur me emra nga futbollistë që luajnë në kampionatet e huaja. Në bisedat direkte me Baric, ai është shprehur se është i bindur në fitimin e dy-tre lojtarëve për të cilët ai rezervon konsiderata për vlerat e tyre. Ky është dhe një nga qëllimet e kësaj fazë përgatitore, ku do të zhvillohen edhe tri ndeshje testuese. Dua të shpreh keqardhjen time se disa lojtarë të ftuar nuk kanë mundësi të vinë për shkak edhe përgjigjeve negative nga klubet për të cilat ata luajnë, përfshi edhe lojtarë që aktivizohen në kampionatin shqiptar.
- Nga kampingu i dhjetorit të vitit të kaluar, ku ishin të pranishëm një numër i madhe talentesh të propozuar nga Zyra e Talenteve në Gjermani, Baric evidentoi disa emra lojtarësh cilësorë si Neziraj, Ujkani, Dedaj, Rustemaj, etj. Dicka më shumë nga ndihmësi i Baric?
- Unë i pashë nga afër të gjithë këtë lojtarë. Sigurisht që edhe në bisedat e punës me trajnerin Baric, di dhe konsideratat për secilin prej tyre nga trajneri i Kombëtares. Shumë prej tyre treguan vlera. I rëndësishëm ishte konkluzioni i këtij grumbullimi, ku theksoj se u fituan disa futbollistë të rinj. Një pjesë e tyre do të jetë edhe në grumbullimin e Antalias. Baric ka qëndruar shumë afër kampionatit shqiptar dhe njeh shumë lojtarë të ekipeve më të mira të Superligës. Baric kërkon të shohë nga afër gjithcka, dhe jo pak herë është ndjerë i shqetësuar nga infrastruktura ku stërviten ekipet. Baric do të vijë të mërkurën në Tiranë dhe më datë 18 janar do të mbajë dhe një temë me trajnerët shqiptarë që synojnë licencën B të UEFA-s
- Pas miqësores me Maqedoninë, më 24 mars është sfida zyrtare me Slloveninë, takim që do të luhet në Shqipëri. Kemi grumbulluar vetëm një pikë në tri takime...
- Ky është dhe takimi i parë zyrtar nga nëntë ndeshjet ndërkombëtare të vitit 2007. Nga tri përballje të vitit të kaluar, ajo që rëndon më shumë është humbja me Rumaninë (0-2) në Tiranë. Me Bjellorusinë (2-2) morëm një pikë të cmuar në transfertë, ndërsa humbjen me Holandën (2-1) në Amsterdam do të konsideroja dinjitoze. Edhe në bisedat e mëparshme me Baric, por dhe nesër, kur ai do të jetë sërish në Tiranë për të mbajtur një leksion me trajnerët shqiptarë, i është kushtuar një vemendje të posacme marrjes së një rezultati pozitiv me Slloveninë. Një fitore ndaj tyre do të vlente shumë në aspektin moral, po aq sa në klasifikim.
- Kur shikon statistikat e sulmusëve në moshë të re. Kemi një Besart Berisha shpërthyes me Hamburgun, një Emdond Kapllani golashënues të bujshëm në Bundesliga 2 dhe një Hamdi Salihi të dashuruar me golin. Në repartin e sulmit duket se ka një konkurrencë shumë të fortë. Emra me përvojë dhe sulmues të rinj të spikatur dhe produktivë...
- Është e vërtetë dhe përbën një problem. Dua ta them me përgjigjësi se Igli Tare është një nga lojtarët që ka luajtur më mirë në tri ndeshjet ndërkombëtare. Është fakt dhe është vlerësuar nga trajneri. Bogdani, edhe pse në vështrim të parë mund të ketë krijuar disa dyshime është një sulmues të fortë. Duke parë formën e mirë të Kapllanit me Karlsurhen, aktivizimin si titullar të Berishës me Hamburgun, apo Salihin te Tirana. Në Antalia do të jetë edhe një sulmues i gjashtë. Dhe ky është Migen Memelli që luan në Norvegji me Bran, nënkampionen e atij vendi. Kovacic e ka parë nga afër atë gjatë dhjetorit të vitit të kaluar dhe ka mbetur i impresionuar nga forma e tij. Nga paraqitja e tij në ndeshjet miqësore në Antalia do të varet edhe thirrja në përfaqësuesen A.
- Mbrojtja duket se është në alarm. Besnik Hasi është në fund të karrierës së tij, ndërkohë që emra bindës mungojnë...
- Besnik Hasi është një lojtar lider dhe është shumë i vështirë zëvendësimi i tij nga një futbollist i ri, sidomos në qendër të mbrojtjes. Ne testuam në atë pozicion është aktivizuar nga Briegel, Tefik Osmani, i cili vitin e kaluar nuk ishte në gjendje optimale. Një alternativë mbetet Mërgim Mavraj dhe Rrustemaj i Borusias Mënshengladbah, por që mbeten të vëzhgohen. Përsa i përket mesfushës, sidomos në anën e majtë, ku kemi dhe probleme alternativa janë si Ansi Agolli dhe Leutrim Neziraj, si dhe Debatik Curri që është një lojtar universal.
Intervistoi: Dash Frashëri

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›