Shpëtim Duro: “Kupa, objektivi i Partizanit”Kupa është objektivi më i arritshëm për skuadrën që ka fituar 32 trofe midis kampionatit, Kupës e Superkupës së Shqipërisë. Një trofe që do t’i çonte sërish nënkampionët në fuqi në Ligën e Europës. Ec

Partizani, rekordmeni aktual i Kupës së Shqipërisë, me 15 trofe, do të përballet me Flamurtarin në çerekfinalet e kompeticionit të dytë më të rëndësishëm të futbollit shqiptar, si ekipi i dytë më i mirë i fillimvitit.
Kupa është objektivi më i arritshëm për skuadrën që ka fituar 32 trofe midis kampionatit, Kupës e Superkupës së Shqipërisë. Një trofe që do t’i çonte sërish nënkampionët në fuqi në Ligën e Europës.
Ecuria mbresëlënëse e 15-herë kampionëve të Shqipërisë - 4 fitore në 5 takimet e fundit - nisi pikërisht me fitoren 2-0 kundër Flamurtarit në kryeqytet, në javën e fundit të vitit 2008.
“Asnjëherë nuk i dihet në futboll”, - tha trajneri i Partiznait, Shpëtim Duro. “Nuk ka pse ta nënvleftësojmë Kupën, kur mund të ecim edhe duke menduar për finalen. Në Vlorë do të luajmë me formacionin më të mirë dhe do të kërkojmë që të kthehemi me rezultat pozitiv”.
Në përballjen e fundit në Vlorë, Partizani humbi 1-0 me Flamurtarin. Goli u shënua me penallti nga kroati Mate Brajkoviç, i cili ende është i dëmtuar, por e veçanta e takimit ishin dy kartonët e kuq të Fatjon Tafajt e Luan Pinarit, pikërisht në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes.
Atëherë në stolat përkatës ishin Hasan Lika për Partizanin dhe Slavko Kovaçiç për Flamurtarin, dy teknikë të larguar prej javësh nga bankinat respektove, teksa kemi në krye të skuadrave Shpëtim Duron dhe Eqerem Memushin.
Diferencat në pikë midis dy skuadrave në këtë kampionat flasin në të mirë të Flamurtarit, tri pikë më shumë se Partizani (25-22), por ato në Kupë janë dukshëm në favor të Partizanit.
45 herë në çerekfinale Partizani, 31 herë Flamurtari; 31 herë në gjysmëfinale Partizani, 16 herë Flamurtari, por ajo që është më e rendësishme, trofetë kanë “largësi” të madhe: 15 herë Partizani, 2 herë Flamurtari.
Edhe bilanci direkt flet për të kuqtë e jo për kuqezinjtë: 22 ndeshje, 9 fitore Partizani, 8 barazime, 5 fitore Flamurtari, teksa edhe kualifikimet “peshojnë” nga “demat e kuq”: 9-5.
E Marte, 24 Shkurt 2009