Vllaznia-Dinamo, historia përsëritetDuke parë edhe më “thellë” statistikat, Vllaznia edhe pse ka numër më të madh kualifikimesh direkt me Dinamon: 10-9, ka një bilanc negativ. Sipas staticienit të njohur të futbollit, Fatmir Efica, në 34 ndeshj

Historia përsëritet. Gati një vit më parë, Dinamo mbërriti në Shkodër si kryesuesja e kampionatit dhe favoritja kryesore për titull, ndërkohë që Vllaznia e kishte Kupën e Shqipërisë mundësinë e vetme për të dalë në Europë.
Dy përballjet e Vllaznisë me Dinamon në gjysmëfinalet e edicionit të 57-të Kupës së Shqipërisë, me një fitore 4-0 në Shkodër dhe një tjetër 3-0 në Shijak, ishin shfaqja më e dukshme e karakterit komercial të futbollit praktik shqiptar.
Në fund të edicionit 2007-2008, Dinamo fitoi kampionatin në “finalen” e kampionatit me Partizanin (2-1), duke siguruar titullin e 17-të kampion, ndërsa Vllaznia mposhti në “Ruzhdi Bizhuta” Tiranën (2-0), duke e fituar për herë të gjashtë Kupën e Shqipërisë. Më pas në finalen e Superkupës, Dinamo fitoi 2-0 me Vllazninë.
Të mërkurën, Dinamo mbërrin në “Loro Boriçi” në pozicione krejt të ndryshme. Vllaznia kryeson kampionatin (me një pikë më shumë se Tirana) dhe shihet si favorite për të fituar Kampionatin e 70-të Kombëtar të futbollit shqiptar, që përkon me 90-vjetorin e klubit më të vjetër në Shqipëri, por që do të ishte edhe titulli i saj i 10-të kampion.
Vllaznia ka vënë “poshtë” në kampionat si rrallëherë tri skuadrat kryqytetase: Tiranë, Dinamon e Partizanin, tri klube që kanë fituar respektivisht 23 herë titullin kampion (Tirana), 17 herë (Dinamo) e 15 herë (Partizani).
Kundërshtari i Vllanzisë në Kupën e Shqipërisë, Dinamo, nga ana saj ndodhet në vendin e tretë, me 6 pikë më pak se shkodranët, vend që edhe sikur klubi blu të mos fitojë as kampionatin e Kupën e Shqipërisë do të zinte një vend në Ligën e Europës.
“Sfida është shumë e vështirë. Dinamo është një ekip shumë i fortë. Është një skuadër që e njoh mirë dhe vjen pas një fitoreje të pastër me Flamurtarin (2-0, në Vlorë)”, - tha trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, ish-tekniku që i shtroi shinat e titullit kampion Dinamos së sezonit të kaluar.
Në gjirin e dy ekipeve janë dy sulmues të talentuar: Xhevair Sukaj te Vllaznia dhe Fatjon Sefa të Dinamo. Të dy sulmuesit kanë shënuar respektivisht nga 5 gola (Sukaj në katër javë) dhe 6 gola (Sefa në 21 javë), por të dy lojtarët i bashkon numri “3” i golave në një ndeshje. Sukaj shënoi tre gola kundër Besës (3-1), Sefa shënoi tre gola kundër Apolonisë në fitoren 3-2.
“Dinamo është përqendruar në të dyja frontet, jo vetëm në kampionat, por dhe në Kupë. Megjithatë, ne e ndejmë se jemi më afër Kupës. Kështu që, është e rëndësishme që ne të fitojmë takimin kundër Vllaznisë”, - u shpreh lushnjari Sefa për të përditshmen “Sport Ekspres”.
Në takimin e fundit të zhvilluar në “Loro Boriçi” për kampionat, Dinamo fitoi me rezultatin e ngushtë 0-1, por në atë të fundit të zhvilluar për Kupë, Dinamo e paraqitur me një ekip të dorës së dytë humbi 4-0.
Duke parë edhe më “thellë” statistikat, Vllaznia edhe pse ka numër më të madh kualifikimesh direkt me Dinamon: 10-9, ka një bilanc negativ. Sipas staticienit të njohur të futbollit, Fatmir Efica, në 34 ndeshje të luajtura midis tyre në kupë, Vllaznia ka fituar vetëm 11 takime, ndërsa Dinamo, 13 (10 barazime).
“Janë dy takime, por ne do të përpiqemi të bëjmë më të mirën”, - thekson Agim Canaj. Në “Loro Boriçi” do të luhen 90 minutat e para të aktit Vllaznia-Dinamo, ndërkohë që ato të kthimit në kryeqytet do të përcaktojnë edhe skuadrën që do të marrë pjesë në gjysmëfinale. Vllaznia e ka arritur 26 herë, kurse Dinamo nga ana e saj 30 herë.
E Marte, 24 Shkurt 2009