Ulja e çmimeve dhe stimulimi i qytetarëve me kredi të buta, prioritetet e programit të Bashës

Kandidati për kryebashkiak në Tiranë, Lulzim Basha paraqet projektet dhe kandidatin e njësisë numër 9, Indrit Fortuzi
Brenda viti të parë të drejtimit të bashkisë së Tiranës nga Lulzim Basha, do të marrë jetë projekti i zgjatimit të Bulevardit nga Stacioni i Trenit, deri tek Bregu i Lumit. Këtë ka deklaruar Lulzim Basha në njësinë bashkiake numër 9, ku ka prezantuar kandidatin për kryetar të njësisë bashkiake, Indri Fortuzi. Ulje e taksave ne funksion dhe të normalizimit të çmimeve, krijimi i një fondi garancie për kredi të buta për strehimin e çifteve te reja, dhe ndërtimi brenda 4 viteve të ardhshme të 1000 apartamenteve sociale, janë ndër prioritetet e programit të kandidatit për kryetar bashkie, Lulzim Basha.
“Do të vazhdojmë me një vepër e cila mbeti ëndërr, por nën përkushtimin tim si kryebashkiaku juaj i ardhshëm do fillojë të marrë jetë brenda vitit të parë, zgjatimi i Bulevardit nga Stacioni i Trenit deri tek Bregu i Lumit. Do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në vlerën e pronës së banorëve të njësisë vendore nr 9, si dhe volumin dhe cilësia e kapitalit që do të investohet në këtë arterie të re dhe të fuqishme, do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të Tiranës. Do t’i ulim taksat duke filluar nga tre javët e mia të para si kryebashkiaku juaj dhe do bëhet gjithçka për normalizimin e çmimeve në këtë qytet. Unë do të ngre brenda muajit të parë Agjencinë Bashkiake të Mbrojtjes së Konsumatorit, e cila do të hulumtojë, identifikojë, raportojë dhe të godasë këdo që spekulon me çmimet në tregjet e qytetit tone”- tha Basha.
Ai i sqaroi banorët edhe për fondin e kredi-marrjes. “Në platformën time dhe programin që do të nis të zbatoj që nga java e dytë e Majit, parashikohet një fond i veçantë për të lehtësuar kredi-marrjen me kredi të zbutura për të gjitha çiftet e reja në qytetin tonë. Brenda katër viteve të ardhshme në territoret publike të Bashkisë së Tiranës, jo vetëm që nuk do të ketë më allishverishe me këto territore, por ato do të vihen në dispozicion të një skeme ndërtimi të 1 mijë apartamenteve sociale”- u shpreh Basha.
Kush me mirë se një futbollist e di se për të fituar duhet një ekip i mirë, një kapiten i zoti dhe mentalitet kampioni. Pikërisht këto veti që sheh tek ekipi i zotit Basha, e bëjnë Indrit Fortuzin, i njohur nga sportdashësit si zogu, të besojë se me 8 maj do të fitojë Tirana dhe qytetarët e saj. “Që të fitosh duhet të kesh një mentalitet fituesi, që të kesh një mentalitet fituesi duhet të kesh stafin e kampionit. Unë me zotin Basha jemi kampion. Të gjithë do fitojmë”- tha Indrit Fortuzi. Ndërtimi i shkollave dhe kopshteve të reja, i këndeve sportive dhe hapësirave te gjelbra, asfaltimi i çdo rruge e rrugice, janë ndër prioritet e projektit të Lulzim Bashes, për të nisur ndryshimin e Tiranës nga lagjet e saj.