E Diel, 1 Nëntor 2026

Më 8 maj, për bashkinë e Himarës do vijë ndryshimi i madh - ajo do u kthehet qytetarëve

21-04-2011 / Nga Leonard Quku

Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë Himarë, Savo Prifti, prezanton platformën elektorale për zgjedhjet bashkiake

“Bashkia e Himarës do jetë si një familje e madhe për banorët e saj. Ne duam një bashki gjithëpërfshirëse. Bashkia e Himarës duhet të kthehet në kushtet e një familje të shëndoshë”- u shpreh kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Himarës, Savo Prifti, gjatë prezantimit të platformës elektorale, për drejtimin e bashkisë së qytezës turistike. Juristi dhe administratori Prifti, premton investime për qytezën me qëllim kthimin e saj në një prej zonave turistike më të zhvilluara të bregdetit shqiptar. Savo Prifti premton një sezon ndryshe turistik në bukuritë përrallore të Himarës dhe kjo sipas tij, do jetë funksionale që këtë vit, menjëherë pas mandatimit të tij, në krye të bashkisë himariote në 8 maj 2011-të. Çelja e një Zyre Turistike, sipas Priftit do promovojë fuqishëm potencialet turistike të të gjithë zonës brendegate të Himarës. Por ajo që shqetëson më shumë juristin dhe administratorin e suksesshëm Savo Prifti, është punësimi. Ai thotë se Partia Demokratike dhe “Aleanca për Qytetarin”, i kanë besuar ndryshimin e Himarës. Falë një ekipi të suksesshëm specialistësh në bashkinë e ardhshme himariote, Savo Prifti premton reduktimin e taksave të biznesit si dhe do nxitet fuqishëm punësimi jo vetëm gjatë 3-muajve të sezonit turistik, por gjatë gjithë vitit, me synim kthimin e Himarës në një zonë atraktive përgjatë 12 muajve. Në programin ambicioz të kandidatit demokrat zë vend infrastruktura rrugore, gjelbërimi, këndet e lojërave, rikonstruksioni i gjimnazit, ndërtimi i ujësjellës-kanalizime etj.

Në kulmin e fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit, Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin”, po prezantojnë kandidatët respektivë në të gjitha zonat zgjedhore të vendit. Me synimin e vetëm, atë të korrjes së fitores, personalitetet e Partisë Demokratike dhe të koalicionit të djathtë “Aleanca për Qytetarin”, janë vënë në shërbim të dëgjesave dhe prezantimit të projekteve e programeve për qytetin dhe qytetarin. Një ndër ta është edhe kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Himarës, Savo Prifti, i cili ka njohur banorët e këtij qyteti me platformën e tij, për qeverisjen vendore të Himarës pas 8 majit. Ai thotë se Himara do votojë alternativën e projekteve që kujdeset për hallet, problemet dhe shqetësimet e qytetit dhe qytetarëve. Sipas Priftit Himara është zhvilluar vitet e fundit, por kjo falë vetëm investimeve të qeverisë dhe jo të pushtetit lokal, i cili sikundër thotë Savo Prifti, ka braktisur prej kohësh interesat e qytetit dhe qytetarëve. “Bashkia e Himarës do jetë si një familje e madhe për banorët e saj. Ne duam një bashki gjithëpërfshirëse. Bashkia e Himarës duhet të kthehet në kushtet e një familje të shëndoshë. “Aleanca për Qytetarin” është aleanca më e kulturuar për të gjithë territorin Shqiptar, sepse ajo zbret tek hallet dhe shqetësimet e tij, por në mënyrë të veçantë ajo është më thelbësore se kurrë me qytetarin e Bashkisë së Himarës, i cili në shumicë, ndodhet në emigracion dhe pret me ditë e vjet të kthehet në vendin e tij. Qeverisja e Partisë Demokratike, programi i saj dhe unë personalisht do të bëjmë përpjekjet maksimale që qytetarët europian të Himarës të kthehen në vendin e tyre. Është paradoksale që kjo mrekulli e natyrës, kjo lule vilajeti, të jetë sot pas 20 vjetësh e braktisur nga banorët e vet”- deklaron kandidati Prifti.
Me sloganin “Të marrësh përgjegjësi, të japësh drejtësi”, në takimet e tij, kandidati demokrat ka vërejtur si një problem të madh lejet e ndërtimit, të cilat sipas tij, aktualisht janë pjesë e një procesi klientelist dhe të lidhur me interesa të ngushta financiare të drejtuesve të bashkisë.
Ai thotë se Himara nuk meriton të betonizohet dhe se ato leje ndërtimi që do të lëshohen në të ardhmen, në radhë të parë do kenë në qendër interesin e qytetit dhe qytetarëve dhe sipas një plani urbanistik të mirë-studiuar. “Këtë e fakton shumë mirë ndërtimi i një pallati shumë katësh pranë shkollës së mesme, leja e të cilit është kundërshtuar fuqishëm në këshillin bashkiak, por interesat klienteliste triumfuan mbi ato të qytetarëve të Himarës”- theksoi Prifti.
Ai premton se brenda 2 viteve do përfundojë Unaza e qytetit, e cila do kthehet me perspektivën e biznesit, duke i kthyer katet e para të ndërtesave në biznese të shumëllojshme.
Kandidati Savo Prifti ka një projekt shumë ambicioz për kthimin e Himarës në qendrën më të rëndësishme turistike të bregdetit shqiptar. Përtej ndasive politike të qytetarëve, ai i fton ata që, së bashku në 8 maj, të votojnë alternativën e dëgjimit të halleve dhe problemeve të tyre. Përmes një platforme shumë korrekte dhe lakmuese, kandidati i “Aleancës për Qytetarin” në bashkinë e Himarës, Savo Prifti premton punësim dhe zhvillim ekonomik të Himarës. “Brenda vitit të parë të mandatit tim do çel zyrën e punësimit, ngritjen e shkollës profesionale, reduktimin e taksave të biznesit, për të bërë të mundur zhvillimin e qindra bizneseve, duke motivuar kështu punësimin”- thotë Prifti. 
Infrastruktura rrugore mbetet një problem permanent, i ngritur si shqetësim edhe nga turistët, kandidati i PD-së thotë se rikonstruksioni i të gjitha rrugëve të qytetit, është një nga premtimet e tij. “Përveç investimeve të qeverisë në rrugën e Palasës, Dhërmiut dhe Jalit, bashkia e Himarës s’ka ri-konstruktuar as rrugët e brendshme. Ne synojmë përmirësimin e infrastrukturës rrugore në të gjithë Bashkinë e Himarës dhe bërjen e qytezës në një zonë turistike ku vizitorët të ndjehen të kënaqur që zgjedhin Himarën për pushimet sezonale. Në këto 6 vjet të qeverisjes së Partisë Demokratike dhe nën merakun personal dhe të vazhdueshëm të Kryeministrit Shqiptar Z. Sali Berisha, në krahinën e Himarës u investua aq shumë, sa as në fantazinë e më optimistit nuk ishte ëndërruar, por qeveria aktuale vendore në Himarë me qëndrimet e saj abuzive, spekulative dhe në kundërshtim me interesat e banorëve të Himarës ka vrarë shpresën dhe ëndrrën e dheut të begat të bregut”- tha Prifti. Por, për t’i dhënë një dimension të ri zhvillimit të turizmit, Savo Prifti premton hapjen e një Zyre Turistike, me synim promovimin e potencialeve turistike të Himarës. “Bashkia e Himarës do ketë së shpejti një Zyrë Turistike, si udhërrëfyes për turistët dhe për promovimin e potencialeve të çmuara turistike të Himarës. Duhet të zgjasim sezonin turistik, jo vetëm vetëm dy muajt e verës, por për këtë më parë duhet të ngremë një zyrë turistike posaçërisht për turizmin”- tha ai. Rikonstruksioni i spitalit të vjetër, rikonstruksioni i shkollës 8-vjeçare dhe gjimnazit të përgjithshëm, sistemimi i ujërave të zeza si dhe pastrimi dhe gjelbërimi i qytetit janë disa nga prioritetet kryesore të kandidatit demokrat, Savo Prifti.

Ndërtimi i ujësjellësit- kandidati demokrat, Savo Prifti ka një projekt për furnizimin me ujë të pijshëm të të gjithë bashkisë së Himarës. “Mali i Kuçit është një resurs i pa shfrytëzuar dhe përmban burime të mjaftueshme uji. Savo Prifti synon që, pas marrjes së mandatit të realizojë në një kohë sa më të shpejtë furnizimin me ujë të pijshëm nga mali i Kuçit për të gjithë bashkinë e Himarës, e cila aktualisht konsumon ujë me përmbajtje kripe, për shkak të shfrytëzimit të burimeve me vend ndodhje pranë detit”. 
Ndotja akustike- “Do luftohet rreptësisht. Sigurisht që biznesi do mbështetet, por sezoni turistik është primarë dhe qytetarët janë primarë”.
Ndërtimi i teatrit dhe bibliotekës në vendin ku sot ngrihet bashkia e Himarës, ndërtesë kjo e përshtatshme edhe për ndërtimin e një qendre të madhe interneti falas për banorët dhe qytetarët e Himarës. “Himara ka patur teatrin e saj 100 vjet më parë, por s’e ka më. Ka patur bibliotekën, por nuk e ka më”.
Sistemim të mbetjeve urbane, kryesisht plehrave për të cilat vendi më i përshtatshëm për hedhjen e tyre është pjesa e pasme e Pilurit, ku mund të dekompozohen. “Aktualisht, plehrat dhe djegia e tyre ndotin të gjithë zonën turistike të Himarës, duke krijuar një situatë të përshtatshme. Aq më tepër kur ka patur raste dhe kur kanë ndotur ujin e pijshëm. Ky problem do marrë zgjidhje menjëherë”.

Takimi me studentët himariotë në Tiranë: Bashkia e Himarës, më shumë politika për të rinjtë

Kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, për bashkinë e Himarës, Savo Prifti njohu studentët himariotë me programin e tij elektoral. Përmes një takimi të zhvilluar në kryeqyet, kandidati demokrat Savo Prifti mori mbështetjen e studentëve, të cilët pasi u njohën me platformën e tij, për një Himarë në shërbim të qytetarëve dhe mundësive e shanseve të barabarta për të gjithë qytetarët, shprehën vlerësimin e tyre ndaj larmisë së alternativave të kandidatit demokrat.
“Ne për Himarën duhet të bëjmë diçka. Jeta atje duhet të gjallërohet, por kjo nuk mund të bëhet nëse ne nuk do kemi vullnet për ta kthyer Himarën tek qytetarët dhe perspektiva e saj turistike”- tha Prifti.
Ai premtoi se bashkia e ardhshme do miratojë bursa të posaçme për studentët e shkëlqyer si dhe për ata të familjeve në nevojë ekonomike. “Studentët, përmes stimulimit do të ndjehen krenarë që janë himariotë. Unë jam i ndjeshëm ndaj rinisë dhe ndaj do mbështes çdo politikë në favor të të rinjve”- tha kandidati demokrat, Savo Prifti. “Qyteza e Himarës është një prej zonave turistike më të bukura të bregdetit Jonian. Edhe pse falë granteve investuese të qeverisë shqiptare për ndërtimin dhe zhvillimin e industrisë së turizmit, përmes investimeve në infrastrukturë, ujësjellës dhe kanalizime, qyteza e cila mbledh gjatë sezonit turistik 7- fishin e banorëve të përhershëm, s’ka njohur të njëjtat ritme zhvillimi si e gjithë hapësira bregdetare, turistike e Jonit. Kjo falë politikave të gabuara të të parëve të qytetit, mbi të cilët bie dhe përgjegjësia morale e qytetare, për neglizhencën e interesit të komunitetit. 8 maji shihet nga qytetarët e Himarës si momenti i frymëmarrjes, për t’i dhënë fund kështu skamjes disavjeçare, përgjatë një mandati me radhë, ku interesi i qytetarëve nuk ishte dhe nuk ka qenë pjesë e axhendës së kryetarëve paraardhës dhe atyre në largim”. 

Mesazhi i Savo Priftit drejtuar qytetarëve të Himarës
“Unë në të vërtetë nga vetë natyra vij nga një familje nga e cila gjatë sistemit nuk kisha mundësi të arsimohesha, por në demokraci ia arrita të arsimohem dhe të nis biznesin tim të suksesshëm, pas një administrimi perfekt nga ana ime. Qytetarët e Himarës do votojnë personin tim, administratorin e ardhshëm të bashkisë. Në themel të programit tonë elektoral është zhvillimi harmonik i gjithanshëm turistik, kulturor, agro-bujqësor i krahinës. Por gjithashtu shumë e rëndësishme është rikthimi i qytetarit Himarjot në vatrën e tij ku mund të jetohet dhe të punohet me dinjitetin dhe krenarinë historike të bregasit. Institucioni i Bashkisë dhe zyra e Kryetarit të saj do të ç’vendoset nga “Tabu Saraji” i sotëm, në prehrin e halleve dhe shqetësimeve të qytetarit. Slogani im “Të marrësh përgjëgjësi, të japësh drejtësi”, buron nga “Odiseja” shumë vjeçare e këtij qytetari krenar që ka dashur dhe do gurin dhe dheun e këtij vendi. Më lejoni që angazhimin tim ta shfaq me punë. Besoni, besoni, dhe përsëri besoni se do të fitojmë”.

Kush është Savo Prifti

Datëlindja: 05, 06, 1963
Vendbanimi: Himarë
Gjendja civile: i martuar (me një djalë)

Edukimi: • Jurist
Profesioni: • Biznesmen
• Jurist në Bashkinë e Himarës 1999-2003
• Avokat 2003-2011

Aktiviteti publik:
• Kryetar i Këshillit Bashkiak Himarë 2003-2007
• Këshilltar i Këshillit Bashkiak 2003-2011

Aktiviteti politik: • Kryetar i Partisë Demokratike, dega Himarë

Programi elektoral

1. Të kthejmë bashkinë e Himarës në shërbim të qytetarit me një administratë profesionale dhe pjesëmarrje aktive e komunitetit në procesin vendim-marrës të saj.
2. Hapja e zyrës hipotekore në Himarë, e cila garanton menaxhimin dhe hipotekimin e tokës brenda 2-vjeçarit të parë.
3. Progresin ekonomik të çdo familjeje në zhvillimin e turizmit për të hyrë në ekonominë e tregut.
4. Përparësi në problemet ekologjike të qytetit dhe të gjithë krahinës: “ujrat e zeza, mbeturinat etj”.
5. Ofertat dhe projektet tona me diasporën e bregut nëpër botë me qëllim kthimin e tyre në Himarë.
6. Ndërtimi i ujësjellësave të fshatrave.
7. Kthimi i agrokulturës në zonën e Himarës nëpërmjet mbështetjes së Bashkisë dhe subvencioneve shtetërore.
8. Përfundimi i masterplanit për zhvillimin urban dhe turistik të të gjithë zonës brenda mandatit.
9. Kredi për të gjitha familjet që duan të ushtrojnë turizëm familjar.
10. Përgjysmimi i taksave vendore, investimet brenda vitit të parë, pa taksa.
11. Leje ndërtimi me hapësira të plota funksionale.
12. Çdo fshat me qendër dhe rrugë të sistemuara.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›