E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimet do të merren vetëm duke u konsultuar me banorët dhe specialistët

21-04-2011 / Gazeta 55

Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Korçës Andrea Mano, prezanton projektin e bllokut “Demokracia”

“Të ndërhyjmë aty ku nuk preket thelbi i Korçës”- kjo ka qenë kryefjala e Andrea Manos, gjatë prezantimit të një tjetër projekti, pas atij të parkut “Rinia”, për modernizimin e qytetit duke ruajtur parametrat e tij tradicionalë. Ky prezantim u zhvillua në ambientet e hotel “Grand”. Në fillim të takimit, z. Mano, tha se, ai kishte qenë kundërshtar i vendosur i të ashtuquajturit “masterplan”, hartuar nga Bashkia. “Kundërshtimi i këtij masterpalani nuk kishte qenë një diçka personale, por një imperative qytetar, për ruajtjen e fytyrës origjinale të Korçës”- tha Mano. Gjatë lobimit të tij për të mos lejuar shkatërrimin e Korçës, ai kishte patur, para së gjithash, mbështetjen e një grupi të madh intelektualësh, specialistësh dhe qytetarësh korçarë. Më pas, ai shpalosi, vizionin e tij për qytetin i cili sipas z. Mano, duhet të jetë një qytet me disa qendra. “E para, qendra tradicionale, e cila ka shumë pak nevojë për ndërhyrje, sepse ashtu siç është një atraksion i madh për turizmin e brendshëm dhe të huaj. Qendra e dytë, ajo e vilave, në drejtimin lindor të qytetit. Prej vitesh, sipas kandidatit të djathtë për kryebashkiak, 125 persona kërkojnë të ndërtojnë në këtë zonë, por që kërkesat e tyre janë bllokuar për interesa personale të Bashkisë aktuale. Ne do të çlirojmë ndërtimet në këtë zonë, duke krijuar atje një qendër të vërtetë qytetare. E treta është fusha në veri të Korçës. Aty mund të ndërtohen pallate shumëkatëshe, duke u krijuar një qendër vërtet moderne. Duke iu kthyer çështjes së takimit, Mano pohoi se, me masterplanin e Bashkisë kësaj zone do t’i bllokohej frymëmarrja me ndërtime të larta dhe prishjen totale të gjelbërimit. Për shpjegimin e vizionit të Bashkisë së ardhme për bllokun “Demokracia”, z. Mano ia dha fjalën arkitektit të mirënjohur Aleko Papakozma. Arkitekti, pasi bëri një shpjegim kritik të masterplanit të Bashkisë aktuale, parashtroi tek dëgjuesit që ishin kryesisht banorë të bllokut, plan- idenë e realizuar prej tij dhe urbanistit Arben Spaho. Ky projekt, nuk parashikon ndërtime të reja, por vetëm rikonstruksione të ambienteve. Gjelbërimi i zonës do të shtohet dhe zgjerohet. Ambientet e bllokut “Demokracia” do të jenë të destinuara vetëm për këmbësorët, ndërsa pjesa e parkimit do të destinohet vetëm për makinat e njerëzve që banojnë në pallatet e bllokut. Rreth e rrotull këtij ambienti do të shtohen element dekorativë që revokojnë historinë mbi 400 vjeçare të Pazarit të Korçës. Pas parashtrimit të projektit, fjalën e mori deputetja Ledina Alolli, e cila siguroi mbështetjen e Qeverisë shqiptare për këtë projekt. Banorët, që e morën fjalën, u shprehën shumë të kënaqur për projektin e nxitur prej kryebashkiakut të ardhshëm. Disa prej tyre bënë sugjerime për përmirësimin e projektit dhe uruan zotin Mano për fitore më 8 maj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›