E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji “Për sektorin minerar” miratohet në parim



Projektligji “Për sektorin minerar" është miratuar dje në parim nga Komisioni Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese. Për miratimin e tij përfundimtar do të pyeten edhe grupet e interesit. Projektligji është prezantuar para deputetëve nga zëvendësministri i Ekonomisë, Neritan Alibali, sipas të cilit, projektligji përcakton rregullat për zhvillimin e veprimtarive minerare në vend. Ligji, ka për qëllim nxitjen e veprimtarive të këtij sektori duke siguruar transparencën dhe konkurrencën e lirë. Alibali tha se, “ligji ka si synim të lehtësojë procedurat për marrjen e lejes duke iu përgjigjur në kohë kuadrit rregullator të marrë nga qeveria si dhe përcakton qartë rolin e shtetit si promovues i pasurive minerare”. Ndërmarrja e kësaj nisme ka për qëllim përafrimin e legjislacionit në fuqi dhe kuadrit rregullator, me direktivat e zbatuara në vendet e BE-së. Relatori i këtij projektligji, deputeti i PD-së, Selami Xhepa theksoi rëndësinë që ka ky ligj, për sa i përket përcaktimin e konkurrencës së lirë si dhe mekanizmave financiare për të përcaktuar detyrimet përkatëse. Deputeti Xhepa vuri në dukje rëndësinë që ka rritja e bashkëpunimit me autoritetet vendore në këtë sektor. Për tu njohur më në hollësi me detajet e projektligjit, anëtarët e komisionit drejtuan pyetje lidhur me klimën miqësore për investitorët e huaj, heqjen e burokracive, lejet e dhëna në sektorin minerar etj.

Ndërtimi i HEC-it të Skavicës, nisin diskutimet në qeveri

Qeveria shqiptare po shqyrton dy variante bazë për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, i cili sipas kryeministrit Sali Berisha, mund të financohet nga buxheti i shtetit. Burime nga grupi i ekspertëve thonë se varianti optimal kërkon ndërtimin e një dige të lartë 210 metra, gjë që nënkupton shfrytëzim maksimal të lartësisë së disponueshme mbi Drinin e Zi, por që kërkon marrëveshje me Republikën e Maqedonisë, pasi përmbyt një sipërfaqe toke jashtë territorit shqiptar. Në këtë rast, Shqipëria mund të merrte maksimalen e mundshme, por duket se qeveria nuk parapëlqen hyrjen në bisedime me Maqedoninë dhe po orientohet më shumë nga varianti i dytë, i cili parashikon ndërtimin e një dige me lartësi 163 metra. HEC-i i Skavicës ka rëndësi strategjike për Shqipërinë për shkak se është i vendosur në rrjedhën e sipërme të lumit Drin i Zi. Ndërtimi i një liqeni artificial mbi Fierzë, përveç prodhimit të 1.2 miliardë KW/h në vit, do të ndihmojë edhe në rritjen e eficiencës në të katër hidrocentralet e tjerë më poshtë. Liqeni i sipërm mund të sjellë një rregullim shumëvjeçar të rrjedhjes së ujërave në Drin, gjë që shmang edhe rrezikun e krizave energjetike nga thatësira, si dhe minimizon rrezikun e përmbytjeve në zonën e Nën-Shkodrës. Në mars të këtij viti, pasi përpjekja e dytë për të shitur projektin e Skavicës në një tender me koncesion dështoi, Kryeministri Berisha deklaroi se do të shqyrtonte mundësinë për ndërtimin e kësaj vepre me financim të buxhetit të shtetit.

18 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›