Tingujt e orës gjashtë
Ridavan DIBRA
Ti e ke dalluar i pari frutin e pjekur majë pemës, biri im, dhe me të drejtë e lakmon aq shumë atë. Kësaj radhe nuk e pranon ndihmën time, gjithçka kërkon ta arrish vetë dhe unë çmoj për herë të parë egoizmin tënd. Megjithëse nuk u kam besuar dhe nuk i kam dashur kurrë njerëzit që japin këshilla, kësaj here jam i detyruar të vihem në rolin e tyre, dhe kjo për faktin se ti je shumë i vogël, kurse pema tepër e lartë. Meqenëse ti, biri im, nuk di ende as të shkruash e as të lexosh, je i detyruar t’i mësosh përmendsh këshillat e mia:
Së pari, mos prit që fruti i pjekur të bjerë vetë nga pema: në një rast të tillë gjithçka kishte për të qenë e thjeshtë e pa rreziqe, por fruti s’ka për të të shijuar aspak. Së dyti; nëse ndokush (qoftë edhe unë vetë) të ofron shkallë, mos prano, fruti i arritur me to shijon shumë pak. Së treti, mos u ngut të ngjitesh në pemë, sillju disa herë rrotull asaj, derisa të gjesh vendin më të përshtatshëm: fillimi i ngjitjes ka shumë rëndësi, biri im. Së katërti, mos i rrëfe askujt (as mua) për ditën e aventurës sate: dyshimi se vazhdimisht mund të jesh i përgjuar prej dikujt, ta vështirëson jo pak ngjitjen. Së pesti, ngjitjen filloje me guxim e me vrull, që të fitosh kohë dhe besim në vete: koha e fituar ka për të t’u dashur diku nga mesi i pemës, kur do ta ndiesh të domosdoshme të çlodhesh e t’i rimbledhësh forcat, kurse besimi do të të vlejë afër majës, krejt pranë frutit të pjekur.
Së gjashti, nëse gjatë ngjitjes zbulon krejt rastësisht diku fshehur mes gjetheve një tjetër frut të pjekur, mos humb kohë e vëmendje pas tij: mos harro se shijen e frutit në majë nuk e ka asnjë tjetër dhe ti atë ke lakmuar që në fillim. Së shtati, mos u beso degëve të thara, por as atyre shumë të njoma, sepse thyhen si kripa, biri im: mund të mbështetesh për pak kohë në to, vetëm pasi të kesh shtrënguar fort me duar një degë të shëndoshë. Së teti, nëse gjatë ngjitjes zbulon krejt rastësisht diku fshehur mes gjetheve e degëve një tjetër fëmijë, që si ti lakmon frutin e pjekur në majë, fshihu prej tij, mos i bjer në sy dhe, nëse kjo është e pamundur, atëherë mos syno që ta rrëzosh nga pema, por as që ta ndihmosh të ngjitet në majë, sepse në të dyja rastet do të jesh i humbur: në rastin e parë ndjenja e fajit do të ta vështirësojë jo pak ngjitjen dhe do ta bëjë frutin të hidhur pelin, në rastin e dytë do të krijosh një rival të rrezikshëm, të cilin do ta kesh pranë gjatë gjithë kohës. Së nënti, mos pusho gjatë, kur të arrish diku nga mesi i pemës: një dremitje me njërin sy të çelur kishte për të qenë e mjaftë për ta vazhduar më pas ngjitjen drejt majës, kurse një gjumë i thellë me të dy sytë mbyllur kishte për të qenë dështimi yt, biri im: me të zbritur në tokë, mund të flesh sa të duash.
Dhe, së fundi, shijoje menjëherë frutin e pjekur, biri im, me ta këputur nga pema: mos prit që të zbresësh në tokë, sepse mund të ndodhë që atëherë fruti yt të jetë kalbur.
Kurse në zbritje gati gjithçka do të varet prej rastësive, prandaj ndihem i paaftë për të të dhënë këshilla. Tashti nisu.
1 Shtator 2008