E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpirti dhe shteti totalitar

Pikturë e Siemiradzki Henryk. "Grua e krishterë e martirizuar në Nero"

Vera Bekteshi

Për të konkretizuar temën Shpirti dhe Shteti Totalitar, mendoj se ska shëmbull më sinjifikativ se ai i një muzikanti të vrarë nga diktatura.

Pak kohë më parë, në fjalën e mbajtur ditën e dekorimit Mjeshtër i Madh, një artist shqiptar 60-vjeçar, Gazmend Mullahi, ndalet për të nderuar një artist tjetër shqiptar, ndoshta babanë e tij shpirtëror, një artist që kurrë nuk u dekorua, nuk mori ndonjë çmim, nderim apo mirënjohje. Ky ishte muzikanti Gaspër Çurçia.

Ai lindi në Shkodër në 1934 në një familje të kamur tregtarësh. Gjyshi dhe i ati i tij ishin përfaqësues të Kompanisë Ford për Shqipërinë. E ëma, Vjera, ishte kroate dhe të dy u njohën gjatë studimeve në Zagreb.

Për të kuptuar rrethanat e formimit të këtij artisti krejtësisht të veçantë, më duhet të përshkruaj shkurtimisht qytetin e Shkodrës, qytetin ku kanë zënë fill tek ne zhanret më të rralla të artit muzikor dhe jo vetëm të tij.

Të parat vende ku është luajtur muzikë në këtë qytet, kanë qenë lokalet. Qysh më 1878, ende nën sundimin otoman, Palok Kurti me orkestrën e tij, jepte muzikë në Milet Bahçe (vini re emrin turk të lokalit). Aty luheshin jaret e famshme shkodrane, por edhe muzikë e huaj nga vendet fqinje. Milet Bahçe-ja frekuentohej nga qytetarët shkodranë pavarësisht fesë të cilës i përkisnin dhe kjo traditë u ruajt edhe më pas ndër vite, edhe pse me ndërprerje të herë pas hershme. Kleri françeskan i përkrahu përgjithësisht këto aktivitete artistike në qytet, me sa duket për të zgjuar ndjenjën kombëtare, meqë ishin vende grumbullimi të të gjithë shqiptarëve.

Është e pabesueshme që në Shkodër nuk u ndërpre muzika në lokale as në kohën e luftërave, thonë bashkëkohësit dhe njohësit e muzikës.

Pas luftë II, më 1946, në Shkodër u hap Shtëpia e Kulturës dhe Teatri. Atëkohë bëheshin koncerte në sheshin kryesor me banda dhe orkestër. Prenkë Jakova ka qenë jo vetëm  iniciatori i gjithë aktiviteteve muzikore, por edhe kompozitori i operës së parë shqiptare.

Po atë vit, pra më 1946, ndodhi në Postribë, një fshat fare afër qytetit, kryengritja antikomuniste, e para e këtij lloji, jo vetëm në Shqipëri. Pas masakrës ndaj pjesëmarrësve dhe familjeve të tyre, Shkodra pësoi një tronditje të madhe dhe u tkurr. Të asaj kohe janë shprehjet e dykuptimta të shkodranëve, shprehje që u pasuruan e u përdorën gjatë gjithë kohës së diktaturës: Shuk, a bane kursin? që do të thoshte a arrestuan kënd nga familja jote?

Nën zë, në gjithë Shqipërinë gjatë pothuajse pesë dekadave shpërndaheshin barcaleta me nëntekst politik, që krijoheshin në këtë qytet njerëzish të talentuar. Ishte një nga format e  revoltës ndaj pushtetit e ngaqë kalonin gojë më gojë, i jepnin të drejtën e autorësisë të gjithë atyre që e përdornin dhe e shijonin ironinë me këtë pushtet.

Në këtë atmosferë Gasperi i vogël filloi të marrë mësime muzike nga pianistja Ida Melgushi. Kjo pianiste e mbetur në hije, ka qenë mësuesja e parë e shumë artistëve të shquar nga Shkodra.

Përveç pianos ai mësoi të luante në kitarë, fizarmonikë, harmonikë, por vegla e tij e preferuar u bë tromba. Me gjithë mësimet e marra, mund të thuhet se ai qe autodidakt.

Për shkak të origjinës së pasur familjare nuk mundi të ndiqte shkollën artistike në Tiranë, por futet në lëvizjen amatore, duke ekzekutuar kryesisht në lokalet e qytetit.

Në moshën 20-vjeçare, pas kryerjes së shërbimit ushtarak, vjen në Tiranë, me të jëmën dhe të motrën, sepse fejohet e më pas martohet me një vajzë tiranase.

Në Tiranë gjen fillimisht punë si instrumentist nëpër lokale. Me krijimin e Estradës së Shtetit fillon për herë të parë një punë më serioze, në orkestër dhe kontribuon në shumë harmonizime dhe orkestrime së bashku me Alqi Karecon.

Gjatë këtyre viteve ai kompozon muzikë të lehtë si dhe një muzikë për film, por kryesisht orkestronte. Incizimet e tij në radio janë ende të paarritshme.

Aktiviteti i Gaspërit nuk u kufizua vetëm në muzikën e lehtë. Ai arriti të studiojë, projektojë dhe prodhojë instrumente të muzikës popullore si dhe të kompozojë për këtë orkestër. Por mbi të gjitha ai ishte një magjistar, një Lui Armstrong shqiptar, ishte një trombë në një gjysmë vajtim – shprehen kolegët e tij.

Në vitin 1962, me fillimin e Festivalit të Këngës në Radio Televizion, Gaspëri gjeti më në fund veten në fushën e muzikës. Për herë të parë ai u bë pjesëtar i orkestrës së radios për festivalet e këngës.

Edhe mbas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, pas 1961-shit, Radio-Tirana jepte muzikë xhaz nga vendet e Lindjes, xhaz hungarez, polak, çek dhe gjerman. Po atë vit tek ne filloi të ndiqet televizioni italian. Shtëpitë e rralla që atë kohë e kishin këtë mundësi, pra aparat televizori, u kthyen në kinema ku ndiqeshin festivalet dhe emisionet muzikore italiane. Pak a shumë kjo situatë vazhdoi deri në vitin 1967, vitin e histerisë anti-kulturë, histeri që zgjati deri në 1972, për tu përsëritur në 1973 edhe më ashpër.

Në këtë vit, pra në 1972, në arenën ndërkombëtare ndodhin ngjarje të rëndësishme. Presidenti amerikan Nikson viziton Kinën dhe shumë shpejt ky vend, satelit i të cilit ne ishim që prej prishjes me B.S., fillon të eci drejt hapjes me hapa të shpejtë. Kjo hapje e Kinës si dhe mundësia potenciale e rikthimit të hrushovizmit në B.S., bëri të lindin shpresat edhe tek ne. Këto shpresa mund të realizoheshin vetëm nëse do të kishte një ndryshim kursi, që do të fillonte në radhë të parë në kulturë. Atë vit në fakt, në të gjitha aspektet e jetës shoqërore në Shqipëri, ndjehej një frymë paksa liberale. Në të gjashtë teatrot profesioniste të vendit, u vunë në skenë drama moderne. Teatri i Operës dhe Baletit vuri në skenë operën Traviata me një skenografi të guximshme. Në artet figurative me gjithë vonesën, ndihej përpjekja për futjen e rrymave moderne.

Po në muzikë? Në muzikë njerëzit po prisnin me ankth festivalin e 11-të të Këngës në RTV Shqiptar. Qenë të shumtë ata që ëndërronin dhe guxuan të mendonin se ky festival do çelte rrugën e ndryshimit të kursit në politikën shqiptare. Për të flitej si për një ngjarje që do të ngrinte artin nga mediokriteti dhe vulgariteti që kishte uzurpuar jetën kulturore-artistike të vendit.

Shumë intelektualë dhe artistë mendonin që kultura jonë duhej të hynte patjetër në rrjedhën e kulturës globale. Kjo kulturë kishte të bënte me LIRINË dhe pyetja që shtrohej me ankth ishte:

A do të sillte kjo kohë disi më liberale një hap drejt lirisë?

Koha tregoi që ishte e pamundur!

Mbrëmjen e 23 dhjetorit 1972 filloi Festivali i 11-të i këngës në RTV shqiptar. Për tre net ky festival u ndoq me interes të jashtëzakonshëm, pikërisht për arsyet e përmendura më lart. Deri në ditët e para të Janarit 1973 kudo këndoheshin këngët e tij. Njerëzit e komentonin si ngjarje që lidhej me shpresën për liri.

Në mënyrë të papritur Radioja dhe Televizioni ndërprenë transmetimin e këtyre këngëve dhe kudo u përhap lajmi se diktatori e kishte goditur rëndë këtë festival. Pas disa ditësh ai doli në publik dhe u shpreh:

Kjo është një muzikë dekadente që kërkon të helmojë rininë e të kryejë përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri.

Çfarë mund të pritej paskëtaj?

Elita artistike në shkallë të gjerë mori një goditje shumë të ashpër. Me qindra artistë, jo vetëm në muzikë, por edhe në fusha të tjera të artit si teatri, piktura e arkitektura, morën dënime të ndryshme deri në burgime të rënda. Kërkohej të rrafshohej gjithçka, çfarëdo progresi në art e letërsi. U p

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›