E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu: Rama e Berisha takim privat në shtëpinë time

Dy nga ambasadorët kryesorë në vendin tonë, ai i amerikan Aleksandër Arvizu dhe ai i OSBE-së, Volfthart kanë mirëpritur ftesën e Ramës për një përballe publike me Berishën, por secili ka kërkuar që kjo përballje të bëhet në mënyrën e tij. Kështu, ambasadori amerikan ka përshëndetur ftesën për debat, por ka kërkuar që ai të mos jetë publik. Arvizu ka shprehur preferencën e tij për një takim mes Ramës dhe Berishës në praninë e njerëzve të tjerë, por bisedat të mos mësohen në publik.

Kam dëgjuar pak për këtë propozim, por nuk kam pasur mundësi ta studioj me hollësi. Unë qartazi mendoj se ky debat apo diskutim nuk është ide e keqe. Kam dashur dhe shpresuar që të kishte më shumë mundësi për debat që gjatë zgjedhjeve vendore që kaluan. Megjithatë shikoj diçka të mirë, një vlerë në këtë propozim. Por përveç një debati publik, mendoj se do të ishte më mirë që të dy liderët të kishin një takim privat mes tyre dhe jam i sigurt që ata janë të aftë ta bëjnë këtë nëse do të donin vërtet ta bënin, u shpreh diplomati amerikan.

Arvizu i ka mëshuar edhe më shumë idesë për një takim privat duke kërkuar që aty të jetë i pranishëm ai dhe ambasadori i BE-së, Etore Sequi. Madje ambasadori amerikan ka përcaktuar si vend takimi rezidencën amerikane në Tiranë duke thënë se është i hapur ta mirëpresë takimin në shtëpinë e tij. Nëse do të ndihmonte, unë jam i gatshëm të hap derën e shtëpisë sime për të realizuar këtë takim mes dy liderëve. Jam i sigurt që edhe ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi do të kishte dashur të ishte në këtë takim. Gjithsesi vendimi i mbetet drejtuesve. Çfarëdo gjëje që ne mund të bëjmë për të lehtësuar tensionin politik, në jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që nevojitet për të realizuar këtë takim. Edhe nga këto festime duket qartë që ne jemi në anën e popullit shqiptar, tha dje ambasadori Arvizu gjatë ceremonisë për kremtimin e 20 vjetorit të rihapjes së Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Nga ana tjetër, Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth deklaroi se mbështet ftesën për një debat publik, që kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i ka drejtuar Kryeministrit Sali Berisha. Por Volfthart tregoi se nuk e di mirë gjeografinë e politikës shqiptare dhe nuk është aspak i kujdesshëm tek detajet. Ftesa e Ramës është një ide shumë e mirë. Mbështes dhe mirëpres çdo ofertë që sjell dialog dhe mirëkuptim mes palëve. Është shumë e rëndësishme që të ketë dialog. Duhet të rinisë dialogu mes partive politike, dialog që duhet të zhvillohet në parlament dhe që duhet të përqendrohet tek reforma zgjedhore, u shpreh ambasadori i OSBE-së. Por kryesocialisti nuk ndodhet në parlament që të debatojë me Berishën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›