E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shpirti i Marley mbijeton ende

07/02/2005  Shpirti i Bob Marley, i cili do të festonte 60 vjetorin e tij këtë vit, mbijeton ende në Xhamajkë. Figura e tij, e një ylli ndërkombëtar të regge që s'vdes kurrë dhe një gjysmë –zoti, ushqen edhe sot industrinë e turizmit, në këtë ishull. Xhamajka do të përkujtojë gjatë gjithë këtij viti, këngëtarin e famshëm, i cili është ndarë nga jeta 24 vite më parë. Kjo deklaratë është bërë nga Kryeministri xhamajkan, PJ Patterson. Qeveria e vendit do të investojë 210 mijë USD në përvjetorin e 60-të, të lindjes së tij, duke organizuar turne të ndryshme futbolli, koncerte të ndryshme të muzikës regge, e deri në gara automobilistike. Një ditë përkujtimore për Marley, është edhe dita "pa dhunë", në ishull. Festimet e pavarësisë së Xhamajkës, që do të zhvillohen në muajin gusht, do të lidhen ngushtë me trashëgiminë e lënë nga "rasta" legjendar, i cili u lind në Nine Miles, një luginë e humbur midis malesh, ku nuk rrjedh asnjë pikë ujë. Vendlindja e tij, çdo 6 shkurt, gëlon nga fansat e ardhur nga e mbarë bota, me kalimin e kohës është shndërruar në një atraksion për turistët. Legjenda thotë se, këngëtari i madh vdiq nga kanceri më 11 maj 1981, në moshën 36-vjeçare dhe u varros me një paruke të përbërë nga "dreadlocks", një bibël dhe kitarën e tij "Gibson". Mesazhi i profetit të muzikës, mbi të shtypurit e mbarë botës, ka joshur hordhi të rinjsh idealistë, hipi apo amatorë të muzikës drejt Xhamajkës, që prej viteve '80. Sot, ata ia kanë lënë vendin turistëve më konvencionalë. Por, "vibrimet" e "rastman-it" të paharruar, të "Survival", një nga albumet e tij më të famshëm, ndjehen ende në rrugët e Kingston, të "larë" në muzikë, pavarësisht nga dhuna që mbizotëron në qytet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›