E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpirti ynë

Pamjet eksluzive në News24 të anijes ushtarake italiane “Sibilla”, ndërsa përplaste “Katërin e Radës” mbushur me 140 vetë, kur mund të transportonte vetëm 9 marinarë, janë fotografia jonë. Fotografia e ne shqiptarëve, një popull i vogël, por me ëndrra të mëdha; të guximshëm deri në qesharakë e të vendosur për të përmirësuar jetën tonë me çdo kusht. Nuk di me të cilit popull tjetër mund t’i krahasoj ëndrrat tona, aq gulçuese, sa për t’i realizuar, i dhuruam botës pamje të papërsëritshme si ato të anijes “Vlora” e rënduar me qindra shqiptarë, por e lehtësuar nga krahët e dëshirave të seicilit. Edhe sot e kësaj dite shumë të huaj nënqeshin me ato pamje, siç do të ketë nënqeshur natën e 6 viteve më pas, atë të 28 marsit 1997 komandanti i “Sibilës” Fabrizio Laudadio: “…questi albanesi…straccioni…”. Në fakt, ne shqiptarët nuk jemi mësuar akoma se bota nuk të fal, se të jesh i varfër dhe i vogël nuk duhet të kesh ëndrra të mëdha. Të përçmojnë. Por ne nuk dorëzohemi, siç nuk u dorëzuan 140 vetë në të voglin Katër i Radës e dhjetëra e mijëra të tjerë me gomone e çdo mjet lundrimi që synuan në gjithë këto vite Lamerikën. Ashtu, të mbyllur për 50 vjet në kafazin e Enver Hoxhës, humbëm shumë nocione, koha u ndal për ne, shumë ndjenja e dëshira u ngrinë si në një frigorifer gjigand, për të shpërthyer si të çmendura pas viteve ’90. Dhe ne “.. gli albanesi di merda…” nuk reshtëm së synuari brigjet përballë, siç vazhdojmë edhe sot e kësaj dite të ngelemi maleve me borë kufijve e të dëshirojmë si askush tjetër “Liberalizimin e Vizave”. Por sa më shumë ta duash një gjë, aq më e vështirë të bëhet rruga për ta arritur.

Kështu, në trupin e vogël të Katërit të Radës, të strukur në 800 metra thellësi të Kanalit të Otrantos, sikur ishte mbërthyer shpirti ynë, që pret akoma të çlirohet. Për vitin 2010, mes shumë prioriteteve, më i rëndësishmi e më i dëshiruari (siç e tregon dhe sondazhi i Balkanweb) për ne, është Liberalizimi i Vizave. Do t’i marrim, ashtu nëpër dhëmbë, me vuajtjet e qeshjet në fytyrë që morën viktimat dhe më pas familjarët e Tragjedisë së Otrantos. Të fundit në rajon, por do t’i marrim. Kur e ëndërron dhe e dëshiron me gjithë shpirt një gjë, ajo ...realizohet.
(BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›