E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali me ushtrine greke, Godo: Nuk është hera e parë

TIRANE- Politikani dhe historiani i njohur, Sabri Godo në një intervistë të dhënë dje për “Gazeta Shqiptare”, ka komentuar provokimin e rëndë që i është bërë Shqipërisë nga ushtria greke gjatë paradës zyrtare me rastin e Ditës së Pavarësisë së Greqisë. Plaku i urtë, njëherësh Presidenti i Nderit i Partisë Republikane, ka komentuar për ‘GSH’ edhe vendimin e Kuvendit për ndërtimin e dy varrezave për ushtarët grekë të rënë në territorit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Z.Godo, si i komentoni thirrjet shoviniste që janë bërë ndaj shqiptarëve nga ushtria greke gjatë paradës së zhvilluar në Athinë, në datën 25 mars, me rastin e Ditës së Pavarësisë?
është një skandal tepër i rëndë, për të cilin duhet të përgjigjet urgjentisht qeveria greke. Ministri ynë i Jashtëm duhet të thërrasë menjëherë në takim ambasadorin grek në Tiranë dhe t’i kërkojë shpjegime dhe një qëndrim zyrtar në emër të Athinës. Pasi ne nuk mund t’u përgjigjemi këtyre kokëkrisurve grekë me të njëjtin gjuhë, fjala vjen t’u themi se “do t’u derdhim plumba në gojë”. Ajo që më shqetëson realisht, është se kjo nuk është e para herë që forcat ushtarake greke bëjnë thirrje të tilla, pra të një racizmi kaq të qelbur. Vite më parë, media faktoi se të njëjtën gjë ata bënin edhe gjatë një stërvitjeje, ku këndonin se do i varnin shqiptarët me zorrët e tyre. Duhet të kemi parasysh se këta janë ushtarë greke. Pra, nuk kemi të bëjmë me banditë, por me një institucion shtetëror, sikundër është ushtria greke, që kontrollohet nga qeveria. Ndaj Athina nuk duhet të heshtë, por të reagojë menjëherë. Fakti që thirrjet e ushtrisë janë bërë para syve të Presidentit të Greqisë, e detyron edhe këtë të fundit të përgjigjet për këtë skandal të rëndë. Reagimi i parë që duhet të kishin bërë ndaj këtyre ushtarëve, është t’i mbyllnin në kazerma dhe t’i procedonin që të gjithë.
Në të njëjtën ditë që në Athinë ushtria greke hidhte parulla shoviniste ndaj shqiptarëve dhe festonte Ditën e Pavarësisë, këtu në Tiranë, Kuvendi miratoi ngritjen e dy varrezave për ushtarët grekë të rënë në territorin shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky vendim i Parlamentit është komentuar nga deputetët e PDU-së, si dhuratë që qeveria shqiptare po i bënte Greqisë në ditën e saj të Pavarësisë. Në gjykimin tuaj, ndërtimi i këtyre varrezave duhej të ishte miratuar apo jo nga Kuvendi?
Parlamenti shqiptar, në të vërtetë është vënë para një fakti të kryer, sepse këto varreza janë ndërtuar me kohë dhe e vetmja gjë që u ka ngelur tashmë është t’u vihet tabela. Duhet të bëhet kujdes në të ardhmen për mënyrën se si do të administrohen këto varreza, pasi të mos harrojmë se ka pasur një pretendim permanent, që këta ushtarë të rënë në territorin shqiptar të quhen si “Dëshmorët për çlirimin e Vorio-Epirit”. Varrezat dhe administrimi i tyre duhet të bëhet në respekt të plotë të rregullave ndërkombëtare. Në asnjë rast të mos pranohet ndonjë zgjerim i këtyre varrezave edhe në territore të tjera të Shqipërisë, pasi Shqipëria nuk është tokë për t’u mbuluar me varre.
(GSH/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›