E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baloteli sërish jashtë për ndeshjen me Romën

ROME- Në “Olimpiko” të Romës do të luhet të shtunën në orën 18.00 kryendeshja e javës së 31-të të Serisë A. Verdhekuqtë e Ranierit do të përballen me Interin, në një sfidë që mund të vendosë shumë përsa i përket titullit kampion në Itali. Ndërsa Roma duket më e qetë, në kampin zikaltër, tema e ditës mbetet ajo e Mario Balotelit. Të premten paradite, sulmuesi 19 vjeçar është takuar me trajnerin Zhoze Murinjo dhe të gjithë e quajtën takimin e paqes, por në të vërtetë nuk ka rezultuar aspak kështu. Portugezi e ka lënë Balotelin në shtëpi edhe për ndeshjen e radhës, duke mos e grumbulluar fare. Se cila ka qenë tema e bisedës mbetet ende një mister. Rreth orës 11.40, sulmuesi ka lënë Pinetinën për të shkuar në shtëpi, ndërsa skuadra e Interit ka mbërritur në aeroportin e Fiumiçinos në Romës rreth orës 16.50. Ndërkohë, agjenti i Mario Balotelit Mino Raiola ka nxituar të lëshojë komentin e radhës mbi çështjen. “Mosgrumbullimi nuk është aspak surprizë, madje do më habiste e kundërta, - tha ai. – është e qartë se nëse Murinjo vazhdon të mos grumbullojë Marion, merr edhe OK-in e klubit. Gjithsesi, Baloteli e ka ndërgjegjen të pastër dhe ndjehet i qetë”, shtoi Raiola. Ndërkohë, administratori i deleguar i Interit Ernesto Paolilo ka bërë të ditur qëndrimin e klubit mbi këtë çështje. “Mund të them vetëm se vendimet e Murinjos janë edhe ato të klubit. Jemi plotësisht dakord me trajnerin tonë”, tha Paolilo. Ndërkohë në listën e të grumbulluarve të Interit ndodhet edhe Uesli Shnajder, por ai mbetet në dyshim për ndeshjen në Romë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›