E Diel, 1 Nëntor 2026

Balazs takon Berishën: Parlamenti vendi ku duhet të zhvillohet debati politik

TIRANE- Hungaria mbështet plotësisht integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe shprehet se do të jetë një zë i fuqishëm dhe një avokat i Shqipërisë në këtë proces të rëndësishëm. Zyra për shtyp e kryeministrit Berisha konfirmon se në takimin që kreu i qeverisë shqiptare pati me Ministrin e Punëve të Jashtme Hungareze, zotin Peter Balazs dhe delegacionin që e shoqëronte, Kryeministri Berisha mori premtimin se mesazhet e mbështetjes për integrimin e Shqipërisë do të përcilleshin drejt Brukselit.

Të njëjtën mbështetje, numri një i qeverisë shqiptare mori dhe në rrugën e procesit të liberalizimit të vizave. Ndërkaq, sa i takon situatës politike në vend ,duke iu referuar bojkotit të institucioneve nga ana e opozitës, Ministri i Jashtëm Hungarez Balazs u shpreh se “Hungaria ka bindjen e thellë se parlamenti është vendi i vetëm, ku palët duhet të debatojnë në demokraci dhe se opozita shqiptare duhet të jetë pjesëmarrëse në sallën e parlamentit rregullisht dhe jo ta bojkotojë atë dhe të jetë diku gjetkë,duke e parë parlamentin shtyllën themelore te demokracisë” .

Në përfundim të takimit me kryeministrin Berisha , ministri jashtëm hungarez u shpreh se një tjetër objektivi i qartë i qeverisë se tij , është thellimi i bashkëpunimit ekonomik në fusha me interes të përbashkët, si në energji, infrastrukturë, turizëm, etj.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›