Një përfaqësi takon Avokatin e Popullit: Shoqatat nuk angazhohen për problemet tona
Një përfaqësi e grevës së urisë nga ish të përndjekurit politikë, të kryesuar nga Xhaferr Agaraj, ka zhvilluar dje një takim me Avokatin e Popullit, Ermir Dobjani, duke i shprehur pakënaqësi për dëmshpërblimin dhe zvarritje të procesit nga ana e institucioneve ekzekutive. Agaraj, në diskutimin me Dobjanin, e falënderoi për rekomandimin që i realizoi Kryeministrit Berisha për ndërprerjen e grevës 64-ditore. Nga ana e tij, Avokati i Popullit tha se ndjekja e problemeve të ish të përndjekurve politikë ka qenë një prioritet, ndërsa përshëndeti vendimin e qeverisë shqiptare të datës 29 dhjetor 2009, për dëmshpërblimin e menjëhershëm të ish të përndjekurve që janë gjallë. Në diskutim u ngrit problemi që edhe 18 vjet pas fitimit të pafajësisë, çështja e dëmshpërblimit dhe rehabilitimit të ish të përndjekurve politikë ka mbetur e pazgjidhur plotësisht. Ata thanë se pavarësisht ligjeve të miratuara, zbatimi i tyre ka zvarritje.
Ata kanë shprehur një farë kriticizmi për angazhimin jo efektiv të shoqatave tashmë të njohura të ish të përndjekurve politikë. Përfaqësuesit e grevës së urisë, pretenduan për diskriminim lidhur me përllogaritjen e ditëve të burgut dhe ato të hetuesisë, duke kërkuar me këtë rast respektimin e raportit “një ditë hetuesi e barabartë me një ditë e gjysmë burg”. Ata, gjithashtu, kërkuan që vlera e shtëpive të përfituara para vitit 2000 të mos llogariten me çmimin e sotëm; vënien në përdorim të letrave me vlerë, me vlerën e tyre reale dhe jo atë të tregut të sotëm; kritikuan formulën e përllogaritjes së dëmshpërblimit për dënimet e përziera; kërkuan përfshirjen edhe të vejushave të vetmuara apo jetimëve, pasardhës të ish të përndjekurve politikë në listat prioritare të qeverisë, si edhe ndjekjen e problemeve të tjera të kësaj natyre.