Shpresat, barazim në fund me Austrinë
TIRANE- Kombëtarja Shpresa ka barazuar 2-2 me Austrinë, në ndeshjen e vlefshme për grupin 10 të Europianit 2011. Pas rezultateve zhgënjyese radhazi, 21 vjeçarët shqiptarë kanë zhvilluar një lojë vërtetë të bukur ndaj atyre austriakë. Shqipëria edhe mund të kishte fituar, duke qenë se deri 10 minuta para përfundimit ishte duke kryesuar 2-1. Ndeshja nisi me një gol të minutës së 20-të të shënuar nga lojtari i Vllaznisë Arsen Sykaj. Në fundin e pjesës së parë, Austria humbi një penallti, ndërsa në fillimin e të dytës ishte sulmuesi i Flamurtarit Odise Roshi ai që dyfishoi shifrat për Shqipërinë. Miqtë u rikthyen menjëherë në lojë pas një autogoli të Seminës një minutën e 52-të, ndërkohë që shifrat janë barazuar 10 minuta para fundit nga Perstaler. Ky barazim e çon kombëtaren Shpresa të Shqipërisë në kuotën e 4 pikëve pas 6 ndeshjesh, ndërkohë që Austria shkon në 10 pikë pas 5 ndeshjesh, duke ruajtur kryesimin e grupit 10. Ndërkohë, po sot ka nisur edhe fushata eleminatore e kombëtares U19, që është mundur thellësisht 5-0 nga Italia në takimin e zhvilluar në San Marino.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)