E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vizat” Qeveria e opozita replika lidhur me fatin e Shqipërisë

TIRANE- Një ditë pasi Parlamenti Europian i hapi dritën jeshile tre vendeve të rajonit për të lëvizur lirshëm në Bashkimin Europian, politika shqiptare është përfshirë nga replika lidhur me fatin e Shqipërisë në këtë drejtim. Qeveria e përfaqësuar nga Ministri i Brendshëm Lulëzim Basha, gjatë një seminari për rrëzimin e murit të Berlinit e ka lexuar qëndrimin e Europës si vlerësim maksimal për hapat e hedhur nga vendi ynë.

“Që nga periudha e fundit e inspektimit, kur Shqipëria nuk numëronte asnjë pasaportë biometrike, që prej ditës së pardjeshme ne muërojmë afro çerek milionë pasaporta biometrike. Në vetëm 4 muaj Shqipëria ka realizuar një hap gjigand përsa i përket këtij kushti themelor e vendimtar për liberalizimin e vizave. Kontrolli i bregdetit nga kaluar nga një funksion ushtarak në një funksion plotësisht civil i cili do të plotësojë e do të konsolidojë edhe më tej praktikën e shkëlqyer shqiptare e cila katër vitet e fundit arriti të reduktonte me mbi 95% trafikun e paligjshëm.” u shpreh Basha.

Por opozita nuk ndan të njëjtin qëndrim me qeverinë, lidhur me rezultatet e arritura për liberalizimin e vizave. Deputeti Ditmir Bushati deklaroi se ekzekutivi ka dështuar me reformat, ndërsa mbështeti maksimalisht lëvizjen e lirë të shqiptarëve në BE në kohën më të shpejtë të mundshme.

“Zbatimet e programit antikorrupsion për imunitarët e oborrit qeveritar, garantimin e qëndrueshmërisë së stafit në policinë e shtetit për të cilën partnerët ndërkombëtarë kanë treguar një vëmendje të vecantë me fonde dhe trajnime. Heqjen dorë nga praktikat abuzive të emërim- shkarkimeve që e kanë kthyer policinë në një shkop në duart e pushtetit. Zbatimin e planit të veprimit për menaxhimin e integruar të kufijve lidhur me aspektet e krimit ndërkufitar si dhe bashkëpunimin mes agjencive në luftën kundër krimit të organizuar dhe heqjen dorë nga shantazimi i drejtësisë.” theksoi Bushati.

Bashkimi Europian e ka cilësuar konsensusin politik si një prej pikave kyce për ti hapur dritën jeshile liberalizimit të vizave për Shqipërinë. Sipas deklaratave paraprake të zyrtarëve të lartë europianë një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm në verën e vitit 2010, kur pas Bosnjës, Shqipëria është i vetmi vend në Europë i mbetur pa viza.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›