E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anglia zgjedh “Low Cost”...dëmtohet Frenk Lampard

LONDER- Nuk ka kaluar në mënyrën më të mirë udhëtimi i kombëtares angleze për në Katar, ku të shtunën në mbrëmje do të përballet në një ndeshje miqësore me Brazilin. Federata Angleze ka zgjedhur për këtë udhëtim mbi 7 orë një avion çarter të kompanive Low Cost dhe kjo ka bërë që në momentin e zbritjes, shumë lojtarë të ndjejnë dhimbje në pjesë të ndryshme të trupit. Dëmtimin më të rëndë e ka pësuar mesfushori i Çelsit Frenk Lampard, i cili që në stërvitjen e parë është bllokuar në kofshën e majtë. Një dëmtim që sipas mediave angleze do ta lërë futbollistin e bluve të Londrës nga 6 deri në 8 javë larg fushave të lojës. Dëmtimi ka shkaktuar irritimin e drejtuesve të Çelsit, që sipas The Sun, kanë ndërmend të kërkojnë një dëmshpërblim prej 1 milion eurosh për yllin e tyre. Sipas drejtuesve të klubit anglez, Federata është përpjekur të kursejë para dhe në këtë udhëtim të gjatë, lojtarët janë ulur në sedilje të zakonshme dhe jo në poltrona të përafërt me shtretër që përdoren për udhëtime të gjata.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›