Vetëvendosje sërish kërkon dorëheqjen e Qeverisë
Drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë përsëritur kërkesën e tyre për dorëheqjen e Qeverisë së Kosovës, pasi sipas tyre, qeveria aktuale po i bënë dëm vazhdimisht Kosovës, prandaj është mirë që të largohet sa më shpejt.
Veç tjerash, zyrtarë të kësaj lëvizje, si dështim të Qeverisë kanë përmendur edhe mos mbajtjen e premtimit për reciprocitetit.
Në një konferencë për media të martën, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti ka theksuar se raportet tregtare me shtetin e Serbinë janë në dëm të Kosovës, ngase që nga marrëveshja për vulat doganore, shteti i Kosovës është dëmtuar, kurse shteti Serbë, po përfiton miliona euro nga vendi ynë.
Ahmeti, Qeverinë e Kosovës e ka quajtur të dështuar, për faktin se po punon në kundërshtim me interesat e qytetarëve të vendit.
“Një qeveri si kjo, që nuk e mbron interesin e qytetarëve të vet, nuk ka rrugë tjetër pos dorëheqjes. Me këto zgjatje ditësh, Qeveria e Kosovës donë që kalimin e tre kamionëve, apo 4 mauneve, apo ndoshta kalon edhe i pesti ta prezantojë si reciprocitet. 5 me 1000 nuk është reciprocitet, kjo në fakt është larg nga reciprociteti. Në të vërtet është e njëjta që po ndodhë që 12 vite me radhë, pra edhe këto 12 ditë tregtia është e njëanshme nga Serbia në Kosovë”, është shprehur Ahmeti.
Duke folur për praninë e tij në Merdare, Ahmeti thotë se prej shumë maunave serbe që kanë hyrë në Kosovë, disa kanë qenë edhe me tabela PZ, por ato nuk janë ndalur.
“Që nga 16 shtatori edhe më herët, në Kosovë po hynë maune me çfarëdo tabela të regjistrimit. Hiq më larg se dje, kanë hyrë disa maune me tabela të regjistrimit PZ të reja, të reja do të thotë nuk janë tabela si të vjetra, e logon e re të Republikës së Serbisë, të lëshuara nga Republika e Serbisë për kundër deklaratave të ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, se një gjë e tillë nuk do të lejohet. Nga Kosova nuk mund të hynë maune as makina me tabela KS, e lere më me regjistrime që në çfarëdo mënyre simbolizojnë Republikën e Kosovës”, ka thënë Ahmeti.
Sot është dita e 12-të që kur filloi implementimi i të ashtuquajturës marrëveshje e tregtisë së lirë me Serbinë.
Sipas të dhënave të Lëvizjes Vetëvendosje, që nga fillimi, më datë 16 shtator, në Kosovë kanë hyrë mbi 1,000 maune me mallra serbe. Ndërsa nga Kosova për në Serbi nuk dihet mirë nëse ka kaluar mauna e pestë.