Shpresë për Flamurtarin
Flamurtari e ka fituar derbin e mbijetesës përballë Vëllaznimit me mund të madh. Ndërsa dy pretendentët për titull, Prishtina dhe Hysi ishin të pagabueshëm, pasi mposhtën KEK’un respektivisht Trepçën. Liria i mori tri pikë në Pejë, derisa Trepça ’89 mundi Ballkanin.
Flamurtari – Vëllaznimi1:0
Flamurtari ka shënuar fitore të rëndësishme në luftë për mbijetesë, duke e mposhtur ekipin tjetër të rrezikuar, Vëllaznimin, me rezultat minimal 1:0, në kuadër të xhiros së 29-të të Superligës.
Pa dyshim, hero i skuadrës prishtinase ishte mesfushori i talentuar, Donart Sahiti, i cili e realizoi golin e vetëm dhe të fitores për ekipin e tij. Në fakt, pjesa e parë u karakterizua pa raste shënimi dhe me shumë ndërprerje.
Kurse, në periudhën e dytë, Vëllaznimi luajti shumë mirë duke e kontrolluar ndeshjen me qëllim që mos të pësojë disfatë përballë Flamurtarit, i cili nuk arrinte ta rrezikonte seriozisht ekipin kundërshtar.
Por, trajneri i kryeqytetasve, Abdyl Bellopoja dikur e inkuadroi në lojë ‘gjokerin’ e tij, të riun Sahiti, i cili ua solli fitoren kuqezinjve. Talenti prishtinas në minutën e 86-të e shënoi golin e fitores për Flamurtarin, duke i gëzuar tej mase të gjithë të pranishmit në stadium.
Ky gol ishte fatal për Vëllaznimin, pasi e humbi vendin e dhjetë të tabelës - që çon në ndeshje barazhi - pasi këtë pozitë ia rrëmbeu Flamurtari. Pas golit të avantazhit, siç ndodh shpesh në stadiumet e Kosovës, edhe kësaj here shikuesit hidhnin nga dy-tre topa në fushë për ta zvarritur rrjedhjen e ndeshjes, me ç’rast nervozoheshin gjakovarët. Ky takim ka nisur me më shumë se një orë vonesë për shkak të reshjeve të mëdha të shiut.
Hysi – Trepça2:1
Skuadra e Hysit e ka ruajtur pozitën e parë në tabelë, pasi të dielën në Merdar e mposhti kampionin në fuqi, Trepçën, me rezultat të ngushtë, 2:1. Ekipi mitrovicas ka kaluar i pari në avantazh prej 0:1 në minutën e 19-të, me golin që e shënoi Bardhyl Kaçiu. Por, vendasit ia dolën që pas tre minutave ta barazojnë rezultatin në 1:1 nëpërmjet kapitenit Mentor Zhdrella.
Ky i fundit ishte më meritori në fitoren e Hysit, pasi bardhezinjtë nëpërmjet tij e shënuan edhe golin e dytë në çastet e fundit të pjesës së parë për rezultat 2:1. Ky ishte edhe epilogu përfundimtar i këtij takimi, sepse asnjëra palë nuk ia doli të shënojë ndonjë gol tjetër gjatë pjesës së dytë të takimit.
Prishtina – KEK-u3:0
Prishtina iu është rikthyer fitoreve në luftën e saj për titullin e kampionit. Bardhekaltrit e shfrytëzuan mirë përparësinë e terrenit, duke e mposhtur KEK-un me rezultat bindës, 3:0. Bardhekaltrit kanë kaluar në avantazh prej 1:0 në minutën e 15-të me golin që e shënoi Azem Ahmeti.
Vendasit e dyfishuan epërsinë në 2:0 në minutën e 31-të nëpërmjet Faton Zejnullahut. Kurse, rezultatin përfundimtar, 3:0 e vuri Astrit Fazliu, i cili shënoi në çastet e fundit të këtij takimi. Me këtë fitore, prishtinasit vazhdojnë të luftojnë seriozisht për titull të kampionit me vetëm një pikë më pak sesa lideri Hysi.
Trepça ’89 – Ballkani2:0
Trepça ’89 pa vështirësi e ka mposhtur Ballkanin me rezultat 2:0. Golat për ekipin e Gani Sejdiut i realizuan Shpëtim Idrizi në minutën e 22-të dhe Isuf Sejdiu në minutën e 35-të. Gjatë 45 minutave të parë, vendasit dominuan plotësisht, derisa në pjesën e dytë loja ishte më monotone.
Besa – Liria2:3
Besa ka pësuar disfatë para tifozëve të vet nga Liria me rezultat 2:3. Pejanët kanë kaluar të parët në avantazh prej 1:0 me golin e Fitim Halitit që e shënoi në minutën e 10-të. Por, prizrenasit u kundërpërgjigjën në minutën e 40-të, duke e barazuar rezultatin në 1:1 nëpërmjet Agron Skerajt.
Dy minuta më vonë, Lira e shënoi edhe golin e epërsisë nga ana e Rafet Mullallarit. Por, bardhezinjtë nga minuta e 52-të mbetën me një lojtar më pak në fushë, pasi Roland Duraku u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Andaj, Besa ia doli ta barazojë rezultatin në 2:2, në minutën e 65-të me golin e Fitim Halitit. Megjithatë, Lira ia doli që ta shënojë golin e fitores nëpërmjet Fatih Karahodës për rezultat përfundimtar 2:3.
Tabela
1. Hysi-63
2. Prishtina-62
3. Liria-44
4. Besa-40
5. KEK-u-40
6. Trepça ’89-40
7. Trepça-39
8. Drenica-35
9. Ballkani-35
10. Flamurtari-30
11. Vëllaznimi-29
12. Ferizaj-26