Misho: Ka shumë probleme, situata flet vetë
Trajneri Misho Krstiçeviç nuk prononcohet para finales me blutë, e shqetëson gjendja në skuadër
Trajneri i skuadrës së Tiranës, Misho Krstiçeviç, para se të fillonte seanca e djeshme, është parë i zymtë. Ai ka qenë i shqetësuar për problemet e ditëve të fundit dhe sidomos ato financiare që kanë mbërthyer skuadrën e tij.
Misho, edhe pse kishte radhën për të folur dje para medias, nuk u ndal ta bënte një gjë të tillë, madje për këtë u ka kërkuar ndjesë gazetarëve të pranishëm në “Skënder Halili”.
“Çfarë mund të flas, situata këtu flet më mirë se unë. Ka pasur probleme, kështu që unë nuk mund të dal në media. Më mirë flisni me ndonjë futbollist, që edhe ju të bëni punën tuaj”, është shprehur fillimisht kroati Misho Krstiçeviç, të cilit, duket se, ndryshe nga herët e tjera i është sosur durimi edhe pse nuk ka pranuar të nxjerrë sekretet e “shtëpisë”.
I pyetur edhe dje për formacionin që do të hedhë në fushë sot në finalen ndaj Dinamos, trajneri kroat nuk ka dhënë asnjë detaj.
“Nuk kam asnjë ide rreth 11-shes, deri nesër pritet që të ndryshojnë shumë gjëra, kështu që unë nuk mund të them asgjë. E rëndësishme është që do të aktivizohen lojtarët që kanë gjendjen më të mirë fizike”, tha në mbyllje të prononcimit trajneri i Tiranës, Misho Krstiçeviç. Situata te Tirana, pavarësisht se në pamjen e jashtme duket e qetë, në brendësi është krejt ndryshe. Lojtarët dy ditë më parë e kanë hequr mendjen nga financat dhe të gjithë në besën e njëri-tjetrit, janë përqendruar te finalja e sotme.