Sulaj, premio 60 mijë dollarëshe bluve për trofeun
Presidenti i Dinamos, Besnik Sulaj, ka vizituar mbrëmë skuadrën e tij, në rezidencën ku ishte grumbulluar para finales së kupës me Tiranën, ku ka biseduar me lojtarët dhe stafin teknik.
Mes të tjerash, numri një i klubit blu ka bërë publike edhe premion prej 60 mijë dollarësh, që skuadra e tij do ta marrë direkt, sapo të ngrejë trofeun e kupës, nëse e arrin këtë objektiv të fundit.
Gjithashtu, Sulaj u ka premtuar lojtarëve të tij se, në rast të suksesit në finalen e sotme të kupës me Tiranën, ata do të marrin jo vetëm premion e sipërcituar, por edhe rrogat e prapambetura.
Një motiv mjaft i madh ky për Dinamon, që të japë gjith]ka ndaj Tiranës, për të fituar Kupën e Shqipërisë, por edhe për të mbushur xhepat. Realizimi i objektivit do të thoshte dy gëzime në një ditë për blutë.
Autobusa “free” drejt Durrësit për tifozët blu
Administratori i Dinamos, Ismet Saliu, bëri të ditur dje gjatë stërvitjes së skuadrës se, për tifozët dhe dashamirësit e Dinamos do të vendosen autobusë për të mbërritur në “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit.
Udhëtimi do të jetë falas i sponsorizuar nga presidenca blu. Edhe pse Dinamo nuk ka ecur në rrugën e duhur në kampionat, pritet që fansat blu mos ta braktisin skuadrën e tyre të zemrës në një ndeshje delikate si kjo ndaj Tiranës, në finalen e Kupës së Shqipërisë. Nisja do të bëhet në orën 17:00, nga dera kryesore e (ish-) kompleksit “Dinamo”.
Blutë përgatiten edhe për 11-metërshtat
Në fund të seancës stërvitore dinamovitët kanë nisur provat nga pika e bardhë e 11-metërshit. Duke qenë një finale kupe, fatet e takimit mund të dërgojnë blutë dhe Tiranën të vendosin fituesin nga penalltitë. Lista e Dinamos në goditjet në fjalë ishte e tillë: Vila, Ferraj, Allmuça, Miloviç, Opoku, Malota, Malakarne, Martinena, Orelesi.
Nata kalohet tek “Ylli i Detit”
Ashtu siç ishte planifikuar, në përfundim të seacnës stërvitore, blutë janë nisur drejtë plazhit të Golemit, për të kaluar natën në rezidencën e përhershme “Ylli i Detit”. Pas relaksit të plotë buzë detit, dinamovitët do të drejtohen për në stadiumin “Niko Dovana” ku do të diskutojnë fatet e Kupës së Shqipërisë në edicionin e 59-të të saj.