E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpronësimet, banorët kërkojnë ndërprerjen e punimeve

FIER Banorë të komunës Frakull kanë ndalur sërish punimet e autostradës Levan- Tepelenë. Ata kanë kërkuar nga punonjës dhe specialistë të firmës kontraktuese që të mos punojnë në sipërfaqen e tokës ku kalon gjurma e autostradës, pa marrë dëmshpërblimin për tokën si dhe pa riparuar dëmet e shkaktuara nga firma në ngastra të tëra toke, sidomos në rrjetin kullues dhe vaditës. “Më shumë se 300 ha tokë është jashtë sistemit të vaditjes vetëm në fshatin Frakull e madhe. Ndërsa në gjithë fshatrat e komunës ku kalon kjo gjurmë sipërfaqja shkon në më shumë se 600 ha tokë pa vaditje”, shprehen banorët të kësaj zone. Përballë situatës së krijuar, firma është detyruar të njoftojë policinë e rendit. Kjo e fundit ka mbërritur në vendin e ngjarjes, në kilometrin e dhjetë të autostradës, ku tashmë ka filluar gërmimi i trasesë dhe po kryhen punimet fillestare për ndërtim të autostradës dhe ka ndërhyrë për të zhbllokuar situatën. Vetëm nën praninë e policisë, specialistët e firmës kanë rifilluar punimet. Por fermerët sërish kanë premtuar se do të bllokojnë punimet, derisa problemi i tyre më shumë se dyvjeçar të gjejë zgjidhje Ata kanë deklaruar se ndihen të pafuqishëm përballë gjendjes në të cilën ndodhen si dhe të braktisur nga shteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›