Barazia gjinore, bashkëpunim mes gazetarëve dhe OJF-ve
U nënshkrua në Tiranë Kuadri i Bashkëpunimit midis Unionit të Gazetarëve dhe 15 OJF-ve që punojnë për barazinë gjinorë në Shqipëri. Ky proces u mbështet dhe u lehtësua nga Entiteti i Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave, UN Women. Në përshëndetjen e saj, znj. Zineb Touimi-Benjelloun, Përfaqësuese e Përhershme e OKB-së në Shqipëri theksoi se “Kjo tryezë e rrumbullakët dhe nënshkrimi i Kuadrit të Bashkëpunimit midis Unionit të Gazetarëve dhe shoqërisë civile është një nismë e parë që i hap rrugë zbatimit të një programi ambicioz të OKB-së për 5 vitet e ardhshme që parashikon një fokus të veçantë në forcimin e mbikëqyrjes qytetare, shoqërisë civile dhe medias për të rritur përgjegjshmërinë e institucioneve dhe forcimin e angazhimeve rreth arritjes së barazisë gjinore”. “Kjo është një nismë që vjen në kohën e duhur si një nevojë për të ndërtuar një partneritet më të mirë brenda shoqërisë civile për t’i dhënë grave më shumë zë dhe vizibilitet” tha znj. Heba El Kholy, E ngarkuar në detyrë, UN Women në Shqipëri. “Të dhënat në shkallë globale tregojnë se investimi për rritjen e pjesëmarrjes së gruas në politikë kthehet në përfitim për të gjithë shoqërinë, jo vetëm për gratë”. Nga ana e tij, Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve e konsideroi këtë nismë si një “akt reagues” të komunitetit të gazetarëve ndaj ngadalësisë me të cilën po ndodh zgjimi i ndërgjegjes shoqërore ndaj përfaqësimit të drejtë të gruas. “Unë jam i sigurt se debati pasues do të jetë pjesë e pastër reflektive e një ndërgjegjeje në lëvizje, e një ndërgjegjjeje realisht të shqetësuar për përmirësimin dhe ndryshimin e realitetit të ndenjur dhe cinikisht të premtuar “ - tha Çipa.