Elsa Lila në krah të Gent Zenelajt dhe Jul Dedës
10/12/2008 Festivali i Këngës në RTSH
Është menduar të vijë me një formulë tjetër. Ndryshime në mënyrën e paraqitjes së këngëve, të votimit, por dhe një prezantim ndryshe. Të paktën këtë premtojnë organizatorët e Festivalit të 47-të të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar përgjatë tri ditëve të festivalit: nga 19 deri më 21 dhjetor.
Nën drejtimin e Elsa Lilës dhe dy aktorëve Gentian Zenelaj dhe Julian Deda, këtë vit festivali synon të sillet në një formë më të zhdërvjellët dhe jashtë kornizave të ngrira.
“Të drejtosh festivalin është rast që të vjen vetëm një herë në jetë. Sepse festivalin e shohin të gjithë, pavarësisht se ç’kanal televiziv është, aq më tepër në krah të Elsës”, - u shpreh aktori Zenelaj. “Do ta nxjerrim festivalin nga kornizat klasike, ku shpatullat mbahen drejt dhe prezantimi bëhet me zë më të trashë se zakonisht”, - vërejti aktori tjetër, Deda. Ndërkohë këngëtarja Elsa Lila theksoi se këtë herë ajo do të përshfaqë në skenë edhe anën komike, që publiku nuk e ka parë ndonjëherë.
Edhe votimi këtë vit do të ketë disa ndryshime. Në natën finale shtatë anëtarë jurie do të votojnë finalistët dhe do ti shpallin hapur votat e tyre. Por njëkohësisht edhe publiku mund të japë opinionin e tij duke i votuar këngët me mesazhe telefonike, rezultatet e të cilave do ti shtohen votimit të jurisë, duke përbërë 25 për qind të rezultatit.
“Formula është prej 20 këngësh, të cilat nuk kanë më eliminimin. Ideja është të mbahen mend sa më shumë, meqë festivali nuk jep mundësinë të dalin këngët më parë, se kështu është kjo formulë e këtij festivali. Mundësia e parë është që të këndohen në tri netët e festivalit të njëjtat këngë. Unë zgjodha jo me 30 këngë, por me 20, se më shumë është e lodhshme”, - shprehet Pirro Çako në rolin e drejtorit artistik.
Ashtu si dhe në edicionet e mëparshme, festivali do të mbahet në Pallatin e Kongreseve dhe fituesi i tij do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Evropian të Këngës, “Eurosong”.
- Thatë se këtë vit formula e festivalit është ndryshe. Si vjen kjo formulë?
- Formula është ndryshe nga vitet e mëparshme. Siç e thanë dhe drejtuesit e festivalit, formula është prej 20 këngësh, të cilat nuk kanë më eliminimin. Ideja është të mbahen mend sa më shumë, meqë festivali nuk jep mundësinë të dalin këngët më parë, se kështu është formula e këtij festivali. Mundësia e parë është që të këndohen në tri netët e festivalit të njëjtat këngë. Unë zgjodha jo më 30 këngë, por 20, se më shumë është e lodhshme. Është maksimumi i mundshëm, limiti i mundshëm. Madje, do të ishte mirë që festivali të bëhej me katër net dhe të bëhej mbi bazën e kësaj formule. Sivjet do të shohim ç’do të japë, se është një formulë e re, që përpiqet të nxjerrë në pah gjërat më interesante të prurjeve, duke mos u shpërqendruar në gjëra të cilat do të hiqeshin nga një juri natën e dytë dhe të përzgjidheshin 15 këngët në natën finale. Kështu që vetë kjo formulë mendoj është më interesante dhe njerëzit do të jenë më të vëmendshëm.
- Mund të zbuloni diçka më tepër për secilën nga netët e festivalit?
- Në natën e parë do të prezantohen të 20 këngët e përzgjedhura, të cilat janë të gjitha interesante, një më shumë, një më pak. Nata e dytë është me duete, një performancë kjo edhe më e bukur se nata e parë. Në natën e tretë këndohet sërish “live”, si natën e parë. Është nata e çmimeve, natë solemne, që hyn në histori si nata finale e festivalit të 47-të dhe mendoj se 20 këngëtarët që janë aty janë me fat, se janë pjesë e kësaj historie. Mendoj se kjo formulë do të japë një impakt shumë të mirë. Shpresoj që të vazhdohet edhe nga drejtorë të rinj të festivalit pas meje. Unë thjesht e bëj këtë gjë ngaqë e dua këtë institucion, nga ky institucion kam dalë dhe e quaj si kontribut të pastër për muzikën shqiptare.
- Si janë përzgjedhur këngët pjesëmarrëse dhe sa vështirë ka qenë për ju kjo pjesë, duke qenë në pozicionin e drejtorit artistik?
- Këngët janë përzgjedhur në mënyrën klasike. Pas anonçimit të spotit të TVSH-së në qershor, kemi qenë të hapur të prisnim çdo lloj kënge me komponentët e saj deri nga mesi i tetorit. Ditët e para të nëntorit juria u mblodh për të përcaktuar këngët pjesëmarrëse. Përzgjedhja ishte e vështirë dhe mendoj se pjesën më të vështirë e kam pasur duke qenë në pozicionin e drejtorit artistik, pasi duke qenë dhe kompozitor dhe kantautor, çdo këngë që nuk është futur është lidhur direkt me mua. Është normale, pasi çdo krijim është i shenjtë për artistin dhe unë i respektoj gjithë kolegët e mi për mënyrën e komunikimit prej xhentëlmenësh që patën në përgjithësi pas anonçimit të 20 këngëve. Pra, dashje pa dashje ka qenë e vështirë të përzgjedhësh jo vetëm nga emrat, por dhe prurjet. Por unë jam përpjekur që ta mbaj veshin më të hapur. Më ka interesuar më shumë prurja e re, gjenerata e re e festivalit. Bëj pjesë që prej 20 vjetësh në këtë festival dhe kam qenë një nga të rinjtë që pa pritur e pa kujtuar u shfaq fitues i festivalit. Dhe e di shumë mirë se gjithmonë alternimi i komponentëve që kanë kontribuar dhe vendosur këtë festival prej vitesh do të ishte shumë interesant. Kam qenë shumë i hapur ndaj prurjeve të reja, kam ndjekur interpretimin e tyre ‘live’, kam qenë nëpër pube, lokale nate, ku ka pasur këngëtarë interesantë. I kam ndjekur nga afër për tu bindur. Ka qenë një punë e gjatë në këtë kontekst. Jam përpjekur që festivali të ketë një target me emra, me të rinj që po lakohen shumë, si këngëtarë, krijues, orkestrues të rinj, si kompozitorë.
- Mund të përmendni ndonjë emër konkret nga këta të përzgjedhur?
- Nuk mund të them. Përzgjedhja është gjithmonë delikate, se lidhet me anën personale të secilit. Secili ka dhimbje për pjesën e vet. Të them të drejtën, nuk është pozicioni im më komod për të qenë drejtor i festivalit. Megjithatë, mësova shumë gjëra nga kjo punë e lodhshme dhe me ngarkesë, sepse çdo gjë më adresohet mua. Është një punë tepër e lodhshme dhe me këtë punë ndoshta do të kisha mbaruar dy albume të miat, kaq punë voluminoze është. Shpresoj të mbyllet me sukses.
- Interpretimi do të jetë “live” në të gjithë komponentët e tij?
- Vetëm orkestra është ‘live’. Kjo pasi të bësh një festival ‘live’, fatura është tepër e lartë. Kjo gjë parashikohet, është në ambiciet e drejtorisë për vitin tjetër. Kurse këngëtarët do të këndojnë ‘live’ natën e parë dhe natën e tretë, sipas formulës klasike që kanë kënduar historikisht. Nata e dytë është më tepër një show, që na përket. Ne kemi qejf të bëjmë një spektakël të bukur dhe të shikojmë ku arrijmë.
- Mund të zbuloni diçka nga ky spektakël?
- Më mirë zbulojeni vetë.
- Në këtë edicion ka rikthim të emrave të këngëtarëve dhe kompozitorëve që i kanë munguar festivalit?
- Nuk mendoj se është fjala e duhur rikthim. Nuk ka rikthim. Janë të gjithë. Unë e thashë dhe një herë se krijimtaria është shumë e çuditshme, dhe kjo është një prurje që sjellin kompozitorët. Në këtë periudhë gjithë kompozitorët sjellin këngën hit të punës së tyre. Një pjesë e tyre i kanë thënë këngët hit ose mund ta bëjnë pas pesë vjetësh. Ka goxha emra. Janë të gjithë kompozitorët, nga a-ja deri te zh-ja dhe të gjithë këngëtarët, sidomos natën e dytë, se dublohen me bigë të tjerë, që nuk kanë marrë pjesë në festival. Pra, natën e dytë do të jetë një festë e madhe në muzikën shqiptare, me 45 këngëtarë në skenë dhe gjithë kompozitorët.
- Si do ta shihnit këtë festival në raport me festivale të tjera?
- Ky festival ka një formulë tjetër, një aromë tjetër. Është festivali klasik i RTSH-së. Ka targetin e vet, nuk ngjan me festivale të tjera. Unë jam pjesë e gjithë festivaleve, marr pjesë në të gjithë, të gjithë më pëlqejnë. Këtu jam si drejtor artistik dhe mendoj se kam ardhur që ky festival të dalë shumë mirë.
- Disa herë në festivale ka pasur probleme për sa i përket autorësisë së këngëve, orkestrimit. Ka qëlluar këtë vit të jetë paraqitur ndonjë këngë e vjedhur?
- Jo, absolutisht. Nuk bëhet fjalë.
Bisedoi: Blerina Goce