E Diel, 1 Nëntor 2026

Çlirohet nga pengmarrësit, por rrezikon burgun

Viktima e një pengmarrjeje mund të kthehet në i pandehur. Ndërsa kanë ndërmarrë metoda speciale për të zbuluar pengmarrësit e një durrsaku, policia ka rënë në gjurmët e një trafiku klandestinësh, në të cilin është përfshirë 37-vjeçari Gazmir Leka, banor i lagjes 10 të Durrësit. Lajmi është konfirmuar për gazetën "Shqip" nga burime brenda grupit hetimor. "Na kanë marrë peng djalin dhe kërkojnë 7 mijë euro për ta lënë të lirë". Denoncimi dhe shqetësimi i prindërve të Lekës të marrë peng që më 17 janar ka vënë në lëvizje agjentët e antikrimit të Durrësit dhe ata të Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Ministrinë e Brendshme. Hetimet do të kryhen nga Prokuroria e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda në Tiranë. Telefonat e familjes janë vënë në përgjim dhe rezultatet nuk kanë munguar. Është evidentuar që pengu mbahej në një apartament në qytetin e Lushnjës. Me t‘u bërë e qartë vendndodhja dhe identifikimi i autorit kryesor është ndërhyrë menjëherë, duke bërë të mundur lirimin e pengut dhe arrestimin e 3 personave të përfshirë në pengmarrje. Një vajzë 20-vjeçare ka shërbyer si karrem për ta tërhequr Gazmir Lekën drejt automjetit ku e prisnin pengmarrësit. Vajza, Arselona A. nga Lushnja është arrestuar në flagrancë bashkë me Ismail Hamitin, 47 vjeç, nga po ky qytet dhe Andrea Lekën, 28 vjeç. Të tre të arrestuarit në flagrancë janë nga qyteti i Lushnjës, ku dhe u mbajt peng për tri ditë me radhë 37-vjeçari durrsak, që në bazë të hetimeve dhe deklarimeve të të arrestuarve është përfshirë në trafikun klandestin të qenieve njerëzore për qëllime fitimi. Ismail Hamiti, 47-vjeçari që ka ideuar dhe pengmarrjen, ka qenë i dënuar më parë për vrasje të mbetur në tentativë. Historia kriminale e tij ka bërë që të ndërhyhet shpejt, por dëshmitë e tyre e kanë kthyer në drejtim të kundërt kursin e hetimeve. Shkaku i marrjes peng të shtetasit Gazmir Leka ishte se në nëntor të vitit të kaluar ai i kishte marrë Hamitit shumën prej 7000 eurosh dhe që atëherë nuk ia kishte kthyer dhe madje as u kishte mbaruar punë. Pengu u lirua pas dy ditësh, por burime nga grupi hetimor thanë se ai rrezikon ta humbasë lirinë, pasi do të akuzohet për trafik klandestinësh. Ai mblidhte para dhe siguronte njerëz për t‘i dërguar përtej Adriatikut. Burimet janë të rezervuara në dhënien e detajeve të tjera mbi këtë çështje, ndërsa tre pengmarrësit do të përballen me veprën penale të rrëmbimit dhe mbajtjes peng për motive pasurore të personit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›