Shqiperi-Arabi Saudite bashkepunim ne fushen e bujqesise
Kryeministri Berisha priti në një takim një delegacion qeveritar të Arabisë Saudite, të kryesuar nga Zëvendës ministri për Zhvillim e Bujqësi dhe Kërkim Shkencor i Arabisë Saudite Abdullah Alobaid, që po zhvillon një vizitë 3 ditore në Shqipëri. Zëvendësministri Alobaid falënderoi Kryeministrin dhe theksoi se e gjen Shqipërinë një vend me potenciale reale investuese dhe zhvillimi ekonomik. Zv/ministri Abdullah vlerësoi se kjo vizitë është një shprehje e interesit të Mbretit Abdullah dhe vendit të tij për forcimin e marrëdhënieve bilaterale. Një interes i veçantë u shpreh nga delegacioni për bashkëpunim dhe projekte në fushë e bujqësisë, duke përfshirë Shqipërinë në iniciativën e Mbretit Abdullah. Zëvendësministri për Zhvillim e Bujqësi dhe Kërkim Shkencor i Arabisë Saudite u ndal në mënyrë të veçantë në thellimin e bashkëpunimit të sektorëve përkatës privat, në prodhimin dhe importimin e produkteve bujqësore e blegtorale, nga Shqipëria në Arabinë Saudite. Për këtë, tha ai, qeveria e tij do të ofrojë nxitje dhe mbështetje për sektorin privat të Arabisë Saudite. Në këtë mënyrë, do të thellohen më tej edhe marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve, për produkte bujqësore strategjike. Kryeministri Berisha vlerësoi interesin e madh të këtij delegacioni dhe, pasi prezantoi potencialet e Shqipërisë në fushat e energjisë, mineraleve, turizmit, u ndal në mënyrë të veçantë në atë të bujqësisë. Kryeministri theksoi se kjo është një fushë ku interesi dhe investimi të shpërblehet shumëfish.