E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vladimir Klitcko mbetet i uritur

Kampioni i botës për peshat e rënda, Vladimir Klitçko synon të regjistrojë fitoren e 50-të me “knock-out” në karrierë, në duelin e 3 marsit në Dyseldof, ku do të ketë përballë sfidanti Zhan-Mark Mormek.
Ukrainasi Klitçko, vëllai më i madh i të cilit Vitali, mbrojti brezin e kampionit të botës në versionin WBC përballë britanikut Derek Kisora, është kampioni në fuqi i titujve IBF, IBO, WBO dhe WBA.
“Nuk e kisha vënë re, por kjo do të jetë sfida ime e 20-të për një titull kampion bote dhe shifra është e pabesueshme, tha Vladimir Klitçko. Megjithatë, jam ende I uritur për të fituar dhe gjithmonë përpara sfidave ndihem nervoz. Natyrisht që nuk do ta marr lehtë këtë duel”.
35-vjeçari paralajmëroi se sfidanti francez, që ka nofkën “Mini Tajson” për shkak të konstruktit të trupit, nuk do të jetë një rival I lehtë, edhe pse ai është 17 centimetra më I shkurtër se Klitçko.
“Majk Tajson nuk ishte kaq I shpejtë sa Mormek. Do ta kem të vështirë ta godas. Ai është një boksier që nuk jep spektakël kur duelon, por shfaqet serioz dhe kërkon të dijë se cili prej nesh është më I forti. Personalisht e pranoj sfidën”, shtoi kampioni ukrainas.
Dueli do të zhvillohet më 3 mars, ndërsa ai vjen pasi u shty nga data fillestare, që ishte 10 dhjetori 2011, pasi Vladimir Klitçko iu nënshtrua një operacioni për gur në veshka.
39-vjeçari Mormek, ish-kampion bote në peshat gjysmë të rënda, deklaroi se ai nuk i trembet rivalit të tij, pavarësisht diferencës në gjatësi dhe peshës më të vogël trupore.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›