Shqipëri-Belgjikë, marrëveshje për ekstradimin e të dënuarve
Shqipëria pritet të marrë kryesimin e OSBE-së në vitin 2014. Vizita e Kryeministrit Sali Berisha në Bruksel, me homologun e tij belg, Yves Leterme, ka sjellë edhe konfirmimin e Belgjikës se do të mbështesë edhe kandidaturën e Shqipërisë për kryesimin e OSBE-së në vitin 2014. Një tjetër arsye e rëndësishme që Kryeministri Berisha udhëtoi drejt Belgjikës, ishte edhe marrëveshja që nënshkroi me Kryeministrin Leterme për ekstradimin e të dënuarve.
Kryeministri Sali Berisha mori gjithashtu edhe mbështetjen e Belgjikës për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjatë vizitës zyrtare që përfundoi brenda 24 orëve në Mbretërinë e Belgjikës, Kryeministri shqiptar është pritur në një takim nga Kryeministri i Belgjikës, Yves Leterme. Më tej, në takim u diskutua mbi prioritetet e presidencës belge të radhës së BE-së dhe projektin madhor të integrimit të Shqipërisë. Kryeministri Leterme i rikonfirmoi Kryeministrit Berisha mbështetjen e fuqishme e totale të presidencës belge për të ecur përpara e me shpejtësi me hapat e mëtejshëm drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kryeministri belg, Leterme, pasi ka vlerësuar arritjet e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit të vendit, ka theksuar për Kryeministrin Berisha se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian. Në takimin mes dy kryeministrave janë vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimi reciprok ndërmjet Belgjikës dhe Shqipërisë. Kryeministri Sali Berisha është takuar edhe me presidentin e Dhomës së Përfaqësuesve, André Flahaut dhe zëvendëspresidentin e Senatit, Armand de Decker. Pas takimit, Kryeministri Berisha sigloi firmën e tij edhe në librin e artë të Parlamentit të Belgjikës. Berisha, gjatë vizitës në Belgjikë, do të pritet në një takim të veçantë edhe nga kryetari i Bashkisë së Brukselit, Freddy Thielemans. Gjatë kësaj vizitë zyrtare njëditore, ishte në axhendë edhe nënshkrimi nga dy kryeministrat Berisha dhe Leterme, i marrëveshjes ndërmjet Mbretërisë së Belgjikës dhe Republikës së Shqipërisë, mbi transferimin e personave të dënuar. Duke shprehur vlerësimin për progresin e rëndësishëm dhe arritjet e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, Kryeministri Leterme përshëndeti vendimin e komisionit për të sugjeruar liberalizimin e vizave pas vlerësimit të ekspertëve dhe shprehu bindjen e thellë për realizimin e ëndrrës së shqiptarëve për heqjen e vizave me vendet Shengen gjatë presidencës belge brenda vitit 2010.
#