E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtimet pa leje, qeveria ndryshon mënyrën e inspektimit dhe ndërhyrjes



Ervin KOÇI - Qeveria ka vendosur që të disiplinojë ndërtimet që do të ngrihen këtej e tutje në të gjithë vendin, me qëllim eliminimin e atyre objekteve që janë informate dhe që bëhen në shkelje me ligjin. Për këtë arsye Këshilli i Ministrave ka bërë propozimin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, i cili pritet të ndryshojë. Në ndryshimet e propozuara nga qeveria rëndësi i kushtohet konstatimit dhe marrjes së masave për rastet kur vërehen ndërtime abuzive dhe informate, sidomos në zona ku ligji e ka të ndaluar ndërtimin. Sipas projektligjit të ri: “Kur mbikëqyrësi i punimeve konstaton raste të ndryshimit të projektit, është i detyruar të njoftojë menjëherë Inspektoratin Ndërtimor e Urbanistik të bashkisë, komunës apo qarkut”. Por ligji përcakton qartë edhe mënyrën se si duhet të veprojnë organet shtetërore përkatëse në rastet e konstatimit të ndërtimeve abuzive, shtesave pa leje apo dhe ndryshimit të projekteve nga ai fillestar. Në raste të tilla ndaj subjekteve ndërtuese apo dhe ndaj firmave ligji parashikon gjoba, pezullim të punimeve dhe deri në heqje të licencës. Sipas ligjit të ri, “për moszbatimin e detyrimeve, të përcaktuara në nenin 7, të këtij ligji, përveç dënimit me gjobë, brenda 10 ditëve nga çasti i konstatimit të shkeljes, Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik i bashkisë, komunës ose qarkut, u paraqet organeve përkatëse kërkesën për heqjen e licencës të mbikëqyrësit të punimeve”.

Kundërvajtjet
Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar, gjatë ushtrimit të kësaj detyre, për të provuar kundërligjshmërinë e ndërtimit, sipas rastit, kërkon dokumentacion të plotë nga zyra e urbanistikës pranë komunës/bashkisë/qarkut. Zyra e urbanistikës pranë komunës bashkisë, qarkut, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, i paraqet INUK-së, dokumentacionin e plotë ligjor që vërteton kundërligjshmërinë e ndërtimit. Nëse zyra e urbanistikës pranë komunës/bashkisë/qarkut nuk kthen përgjigje brenda afatit 15-ditor, INUK-së kryen inspektim në kantier, objekt inspektimi, për të verifikuar ligjshmërinë e ndërtimit. Në rast se pas inspektimit, INUK-ja konstaton se ndërtimi është i kundërligjshëm, vepron sipas nenit 13, të këtij ligji. Gjatë ushtrimit të kësaj detyre, Inspektorati ka përgjegjësinë të bëjë kallëzim penal për veprën penale të konstatuar dhe të paraqesë kërkesë për heqje licence, nëse punimet kryhen nga subjekte të pajisura me leje dhe licencë.

Dokumentacioni
Tjetër vëmendje ligji i ri i kushton edhe dokumentacionit që duhet mbajtur ose duhet plotësuar nga subjekti ndërtues. Sipas tij, “Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik i bashkisë, komunës ose qarkut, brenda 5 ditëve nga data e depozitimit të dosjes, duhet të pajisë subjektin me vërtetim për plotësimin ose jo të dokumentacionit tekniko-ligjor të paraqitur. Në përfundim të afatit 5-ditor, nëse Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik i bashkisë, komunës ose qarkut nuk shprehet, atëherë dokumentacioni tekniko-ligjor, i paraqitur nga subjekti, konsiderohet si i pranuar i plotë nga inspektorati i sipërpërmendur”.

Inspektimet
Ushtrimi i përgjegjësisë, sipas pikës 1, të këtij neni, kryhet vetëm kur në kantierin, objekt inspektimi, nuk ka filluar apo nuk është në proces një inspektim nga inspektorati vendor, si dhe kur vërtetohet një nga rrethanat e mëposhtme: a) Ushtrimi i përgjegjësive kërkohet nga vetë inspektorati ndërtimor urbanistik vendor i komunës/bashkisë ose nga kryetari i komunës apo bashkisë përkatëse, për shkak të pamundësisë financiare për ushtrimin e kësaj përgjegjësie nga inspektorati vendor; b) Inspektorati ndërtimor urbanistik i bashkisë/komunës/qarkut nuk e ka inspektuar këtë territor më parë ose nuk është shprehur me vendim për këtë ndërtim, në përputhje me afatet dhe procedurat e përcaktuara në këtë ligj; c) Vendimi i inspektoratit ndërtimor urbanistik të bashkisë/komunës/qarkut për prishje të ndërtimit të kundërligjshëm nuk është ekzekutuar brenda afatit ligjor të caktuar në këtë ligj.

15 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›