E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësia, çelet "Java e kulturës Shqipëri-Kosovë"

Janë natyrisht ata që gëzojnë më shumë për pavarësinë e një vendi që flet dhe gëzon gjakun shqiptar. Shqipëria dhe Kosova festojnë në format më përfaqësuese të artit një vit që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Përfaqësuesit më të lartë të kulturës në dy vendet shqiptare përkatësisht dy ministritë e kulturës, kanë nëshkruar dhe bashkëpunimin në muajin e kulturës Shqipëri-Kosovë. Kështu festa e vitit të parë të lirisë së plotë së Kosovës do të ngjisë në skenat e dy vendeve shqiptare artistët më përfaqësues të skenës. Një ndërthurje e ansambleve popullore, këngëtarëve më të njohur operistik të vëndit, instrumentistë të rinj, studentë të Akademisë së Arteve të Shqipërisë dhe Kosovës dhe kompozitorëve mbarë shqipëtarë, do të mbushin këtë muaj të rëndësishëm të bashkimit të vlerave dhe në shërbim të festimit të një dite të shënuar si ajo. Festa e madhe e mujit të kulturës Shqipëri-Kosovë do të fillojë në datën 15 shkurt në Tiranë me shfaqen "Bozhuret e Lirisë". Do të jetë nën performancën e artistëve të Ansamblit popullor, të cilët do të sjellin një fshaqe të vlerave të vërteta të tabanit popullor shqiptar. Data 17 shkurt do të rezervojë drejtëpërsëdrejti, për të kujtuar dhe festuar aktin historik të pavarësisë së Kosovës, një "Mbrëmje gala për pavarsinë", në të cilën do të ngjiten në skenën e TOB-it veprat më të mira të kompozitorëve shqiptarë. Por paralelisht në Gjakovë do të mbahet edhe shfaqja "Një komb - një kulturë ", shfaqe e cila do të bashkojë Ansamblin popullor të Shqipërisë dhe Ansamblin "Shota" të Kosovës. Nuk do të mjaftojnë vetëm ditët e mujit të Pavarësisë së Kosovë, pra muajit shkurt, por shfaqet do të pasojnë dhe në muajin mars, i cili do të hapet me "Mbrëmjen korcentore të instrumentistëve të rinj" në Tiranë dhe në Hollin Koncertortor të TOB-it. Romanca shqiptare do të sjellë zërat më përfaqësues të dhe studentët më të talentuar të Akademisë së Muzikës në Prishtinë në një shfaqje speciale, e cila do të mbahet në 10 Mars në Fakultetin e Kantos së Prishtinës. Datat 11,12,14,15 do t'i rezervohen emrave të mëdhenj të artit dhe muzikës shqiptare, të cilët sollën një muzikë largëpamëse dhe mëse shpirtërore dhe me fjalët e të madhit Kadare baletin "Gjenerali". Muaji i kulturës Shqipëri- Kosovë do të mbyllet në mënyrë simbolike në datën 12 mars në një takim të vaçantë të ministrave respektivë të dy vendeve në takimin e titulluar "Takimi i kompozitorëve mbarë shqiptarë në opera". Ky takim do të bëhet dhe në kuadër të vënies në skenë të baletit "Gjenerali". Kështu do të festohet një vit i plotë i pavarësisë së Kosovës, duke bashkuar dhe shkrirë kufijtë e kulturës dhe duke përkrahur dhe lartësuar vlerat e një kombi me gjak dhe gjuhë shqiptare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›