Elbasan; Shpërthen në flakë sërish zona e ish-kombinatit metalurgjik
Transformatori në afërsi të uzinës së petëzimit në Elbasan ka shpërthyer në flakë. Shpërthimi i flakëve ka përfshirë të gjithë godinën ku ndodhet administrata dhe reparti i punëtorëve të uzinës. Burime zyrtare të policisë dhe të repartit të zjarrfikëses, të cilët kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, bëjnë të ditur se “shkak i zjarrit ka qenë shpërthimi i transformatorit, i cili ka vënë në rrezik jetën e disa punëtorëve". Megjithatë, për të dhënë më tepër detaje do të duhet të pritet ekspertiza në vendin e ngjarjes, por për këtë do të duhet që më parë të punohet për normalizimin e situatës, pasi për shuarjen e flakëve është shumë e vështirë. Mësohet se transformatori punonte me vaj. Për shuarjen e tyre duhen mjete speciale si dhe duhet përdorur shkuma e jo uji. Fatmirësisht, deri më tani nuk konfirmohen dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale. Uzina e petëzimit në Elbasan administrohet nga firma turke “Kurum”. Shefi i emergjencave në Elbasan, Aleks Odo, tha se “ishim të papërgatitur për këtë situatë që ka ndodhur sot në uzinën e petëzimit, pasi për shuarjen e tyre duhen mjete speciale si dhe duhet përdorur shkuma dhe jo ujë”. Jo pak por 5 zjarrfikëse u vunë në dispozicion për parandalimin e përhapjeve të flakëve.