E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëri-Kosovë, bashkëpunim në kërkimet shkencore

Shqipëria dhe Kosova do të rrisin bashkëpunimet e tyre në fushën e kërkimeve shkencore, pasi tashmë nga kryetarët e dy Akademive të Shkencave u nënshkrua një protokoll bashkëpunimi. Dje kryetarët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës nënshkruan protokollin dy vjeçar 2009-2011 mbi bashkëpunimin kërkimor-shkencor e artistik. I ftuar nga Gudar Beqiraj, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Besim Bokshi, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Kosovë, ka kryesuar delegacionin kosovar në një vizitë pune tre ditore në Tiranë. Protokolli i ri parashikon vijimësinë e projekteve të përbashkëta të nisura në periudhën 2006-2008. Këto projekte përfshijnë fusha të ndryshme të shkencave shoqërore, natyrore dhe teknike, pa përjashtuar veprimtari të ndryshme mbi gjuhësinë, krijimin e fjalorëve, arkeologjinë, historinë, biologjinë, etj. Në këtë protokoll do të bëjnë pjesë dhe tematika të reja si zhvillimi i teknologjive të informacionit, konferenca të ndryshme shkencore, etj. Dy kryetarët e dy akademive theksuan në fjalën e tyre rëndësinë e këtij protokolli në fushën e kërkimeve shkencore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›