E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-Kosovë, mesazhe muzikore të dhunshme dhe erotike

TIRANË- Në bazë të monitorimeve që ka bërë KKRT-ja e Shqipërisë, por edhe Komisioni i Pavarur për Mediat në Kosovë, që të dy institucionet kanë dalë me të njëjtin qëndrim sa i takon një videoje të një grupi këngëtarësh "Baba Stars". Kryetarja e KKRT-së,Endira Bushati, flet për këtë rast në intervistën që jep për "Gazetën Shqiptare". "Po. Kemi nisur një shqyrtim për shkeljen e normave etiko-morale. Televizioni që transmetonte këtë videoclip, menjëherë pas ndërhyrjes tonë e ndërpreu transmetimin e këtij videoclipi. Më duhet të theksoj që, ligji aktual nuk është i plotë pëërsa u përket respektimit të normave të tilla.

Por Ligji i Ri,që pritet të miratohet, do të jetë më i përditësuar, veçanërisht në mbështetje të Nenit 10 të Konventës Europiane për të drejtat e njeriu, që bën fjalë për lirinë e shprehjes si dhe krejtësisht i përafruar me Direktivën Europiane për Shërbimet Audio-vizuale. Çdo hap i ndërmarrë drejt dixhitalizimit, kërkon një ent rregullator gjithnjë e më të specializuar, që të përballojë sfidën e periudhës së tranzicionit e, më pas, të zhvillimeve dixhitale, si kudo në Europë e më gjerë".

Nga ana e saj, KMP-ja e Kosovës, në një reagim të djeshëm për të njëjtin fenomen dhe të tjerë të ngjashëm si ai, shprehet i shqetësuar për shtimin e këtyre rasteve. "Departamenti i Monitorimit dhe Analizave ka identifikuar gjatë monitorimeve edhe spote muzikore, tekstet e të cilave glorifikojnë efektet pozitive të substancave narkotike dhe të cilët bëjnë thirrje të drejtpërdrejtë për përdorimin e tyre. Brengosëse janë edhe mskenat e dhunës dhe skenat pothuajse erotike, të cilat dominojnë në disa spote muzikore vendore dhe të huaja”.
(el.me/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›