Shqipëri-Maqedoni, tatimorët shkëmbejnë eksperiencat
Në fund të muajit shtator ishte në vendin tonë për disa ditë, për një vizitë bilaterale, një delegacion nga Administrata Tatimore Maqedonase. Delegacioni ishte i kryesuar nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve të Maqedonisë. Në bisedat që u shkëmbyen midis drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, zotit Artur Papajani dhe stafit të tij menaxherial me përfaqësuesit e Administratës Maqedonase u prezantuan reformat e ndjekura në sistemin tatimor në Shqipëri. Po gjatë këtyre ditëve u organizua dhe workshop-i i parë i përbashkët midis dy administratave tona, me iniciativën dhe mbështetjen e drejtorëve të Përgjithshëm, z. Papajani dhe z. Trajkovski. Workshop-i kishte si qëllim shkëmbimin e eksperiencës midis dy administratave në fushën e kontrollit tatimor, me lektorë dhe pjesëmarrës nga të dyja vendet. Temat që u trajtuan gjatë ditëve të workshop-it kishin të bënin me strukturën organizative të kontrollit tatimor dhe detyrat e tij në administratat tatimore respektive, mbi analizën e riskut, qëllimin dhe objektivat, roli, tipet e kontrollit, roli dhe detyrat e drejtuesve, raste specifike për kontroll, përgatitja e raporteve, fuqitë që gëzojnë kontrolloret, çfarë lejohet të kontrollohet, përgjegjësitë dhe detyrimet e kontrollorit, hartimi i programit të kontrollit etj. Workshop-i u zhvillua në një frymë bashkëpunimi reciprok. Në përfundim, drejtorët e Përgjithshëm të të dyja Administratave Tatimore premtuan për një intensifikim të marrëdhënieve dypalëshe në aspekte të ndryshme të veprimtarive tatimore.