Prifti fton kompanitë kanadeze të investojnë në Shqipëri
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Dritan Prifti, zhvilloi dje një takim me kryetarin e Senatit të Kanadasë, z. Nowl Kinsella dhe delegacionin që e shoqëronte. Në këtë takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, si edhe ecuria e bashkëpunimit dypalësh në fushën ekonomike. Z. Prifti ftoi kompanitë kanadeze për të investuar në Shqipëri, si një vend tepër tërheqës për "doing bisness". Ministri theksoi se mundësitë në Shqipëri janë të shumta dhe të pashterueshme. Rezervat me nikel, bakër dhe krom e bëjnë vendin tonë admirues për të gjithë investitorët e mëdhenj ndërkombëtarë të këtij lloji. Për këtë, z. Prifti u bëri ftesë kompanive kanadeze, përveç energjisë, të investojnë edhe në këtë sektor. Tashmë zhvillimi i sektorit privat i ka tejkaluar përmasat e biznesit të vogël apo të mesëm, duke krijuar interesa të mëdha prej kompanive prestigjioze në fushën e energjetikës që po investojnë miliona euro në Shqipëri. Grupi “Moncada”, grupi “Marseglia” etj., janë tashmë kompani ndërkombëtare që i ofrohen vendit tonë për t’i dhënë atij pamjen e një stacioni të destinuar për të bërë biznes të suksesshëm. Z. Kinsella fton Priftin në një takim me Ministrin Federal të Kanadasë për Energjinë. Të dyja palët diskutuan për krijimin e bazës ligjore në fushën ekonomike, duke synuar lidhjen e Marrëveshjeve së Bashkëpunimit Ekonomik dhe Marrëveshjes së Nxitjes dhe Mbrojtjes së Investimeve.