Shqipëri pa “ngjyrë” në EstoniKy ishte barazimi i dytë në tri ndeshje me Estoninë në Talin. Per here te pare ne 6 ndeshjet e drejtuar nga Kuzheja, Kombetarja nuk gjen rrugen e rrjetes

Rrjetet sociale:
Shqipëria barazoi 0-0 në një ndeshje pa “ngjyrë” me Estoninë në “Le Coq Arena”, në një ndeshje që përkonte me 100-vjetorin e lindjes së futbollit të vendit balltik. Ky është barazimi i dytë në tri ndeshje me Estoninë në Talin, përfshirë edhe atë 1-1 realizuar nën drejtimin e Hans Peter Brigelit, më 28 prill 2004.
“Eksperimenti” i radhës i Josip Kuzhesë me vendosjen e mesfushorit krijues Klodian Duro në rolin e një shkatërruesi të pastër para vijës mbrojtëse mund të konsiderohet një dështim, ashtu si dhe vendoja e mesfushori këmbëmajtë Gilman Lika në rolin e një anësori të djathtë.
Ndoshta edhe për shkak të temperaturave të ftohta e një stadiumi aspak frymëzues, Shqipëria për herë të parë në drejtimin e “sulmuesit” Kuzhe nuk shënoi gol në gjashtë ndeshjet e drejtuara nga trajneri kroat. Përgjithësisht u pa një Kombëtare e lodhur, një reflektim edhe i minutave të pakta që kanë lojtarët e thirrur në ekipet që ata luajnë, sidomos atë legjionarë.
Gjithsesi, Kuzhe do të ketë marrë një sinjal të qartë nga “baby Shqipëri”, në ndeshjen e fundit ndërkombëtare të këtij viti përpara se në shkurt të vitit të ardhshëm të hidhet shorti i eliminatoreve të Kampionatit Europian 2012, për të cilën shumë nga lojtarët aktualë deklarohen se do të paraqesin një “Shqipëri të madhe”.
Në fakt, kronika e lojës është e zbehtë, ashtu si dhe goditjet në drejtim të portave, ku dy rastet kulmore u përkasin estonezëve, dhe pikërisht të njëjtit lojtar: kapitenit 30-vjeçar Raijo Piroja, së pari, për golin e anuluara të tij në minutën e 50-të (pas një faulli në drejtim të portierit tonë Isli Hidi), e së dyti, për kartonin e kuq të marrë pas replikave të mbrojtësit të Fredrikstad në Norvegji me gjyqtarin lituanez Audrius Kancleris.
Për të ardhur te kronika reale e ndeshjes, ishte mesfushori shqiptar i Bolusporit, Gilman Lika, i cili ngacmoi i pari portën estoneze në minutën e 10-të, duke fituar një goditje këndi për Shqipërinë. Pas ekzekutimit të saj, portieri i Estonisë, Artur Ekotenko (luan me Viking në Norvegji), gaboi në dalje, duke krijuar një rrezik në portën e tij, pasi Debatik Curri, ishte i gatshëm për të përfituar në dyluftimin me portierin, por duke shkaktuar faill sipas gjyqtarit lituanez.
Goditja e parë e këndit e fituar nga Estonia i përket minutës së 13-të, duke përfituar nga një dalje e gabuar e Isli Hidit. Sërish në të 16’, Estonia fitoi një tjetër goditje këndi, kësaj radhe nga e djathta. Litber harkoi, dhe kapiteni Raio Piroja, ky i fundit luan në Norvegji me Fredrikstadt, goditi me kokë, por sfera përfundoi paksa jashtë kuadratit në anën e majtë të shtyllës pingule të mbrojtur nga Isli Hidi, por gjithsesi rrënqethëse.
Në minutën e 23-të, Hyka dha top për Hamdi Salihi, sulmuesi i Rapidit i dha një asist Elis Bakajt, dhe golashënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar (6 gola) bëri një roveshjatë të bukur në kufijtë e 16-shes, por sfera e goditur nga sulmuesi i Dinamos përfundoi jashtë.
Dy minuta më pas, Armend Dallku ekzekutoi një goditje të lirë nga rreth 35 metra duke gjetur kokën e Hamdi Salihit, shkodrani 25-vjeçar kërceu bukur brenda zonës së vogël, por pa mundur të mposhtë portierin kundërshtar e të shënojë për Shqipërinë.
Momenti kulmor i tridhjetë minutave të parë. Kapiteni Ervin Skela ekzekutoi një goditje të lirë, kapiteni i Estonisë, Raio Piroja spastroi zonën me kokë, topi mbërriti në hyrje të zonës te Jahmir Hyka dhe mesfushori shigjetoi ashpër, por pa mundur të gjejë kuadratin.
Estonezët u treguan paksa të ashpër me ndërhyrjet e tyre, duke e kaluar madje masën në një ndeshje miqësore. Armend Dallku, Ervin Skela, Hamdi Salihi i provuan “takat metalike” të kundërshtarëve.
Në të 38’ dy momente të mira për Shqipërinë, duke fituar dy goditje rresht, por mesfushori i Krivbasi në Ukrainë, 27-vjeçari Ansi Agolli e mbyll këtë situatë duke goditur nga larg, por në mënyrë të gabuar.
Në minutën e 43-të, Jahmir Hyka bëri një kalim të bukur nga e majta, harkoi në zonë, Piroja gaboi, por Gilman Lika, nuk mundi ta shfrytëzojë okazionin, edhe për shkak
Në të 45’, Kirstin Vikmae, autori i golit të vetëm të Estonisë në barazimin 1-1 në prill të vitit 2004, u shfaq i vetëm përballë Isli Hidit, por 30-vjeçari (113 ndeshje, 15 gola), i shqetësuar nga pas edhe nga mbrojtësi ynë Armend Dallku, e goditi lehtësisht topin në duart e Hidit.
Një gol i anuluar në pjesën e dytë i realizuar nga Piroja në minutën e 50-të, pasi kapiteni i Estonisë shkaktoi faull ndaj Isli Hidit, zgjoi vendasit për të përvijuar një lojë më afër portës sonë.
Mesfushori i Mainc 05, Jahmir Hyka, dhuroi momentin më të bukur për Shqipërinë, kur në minutën e 60- të fantazisti 21-vjeçar shpërtheu nga e majta e sulmit tonë dhe me një goditje rënqethësë detyroi portierin estonez Pareiko të stërzgjatej dhe detyrohej ta dërgonte topin në goditje këndi.
Trajneri Kuzhe jo i qetë në bankinë mendoi për zëvendësimet e para, që në fakt duhet pranuar se ishin të vonuara. Emiljano Vila zë vendin e Elis Bakajt (71’), dhe në të 75’, Gjergji Muzaka në vendin e Gilman Likës dhe Edmond Kapllani po në këtë minutë zëvendëson Hamdi Salihin. Asgjë nuk ndryshon në ritmin e lojës sonë, madje rastet janë krejt sporadike me një mesfushë thuajse të lodhur.
Në minutën e 85-të, mesfushori 25-vjeçar estonez, Konstantin Vasiliev (luan në Slloveni me Naftën) me një goditet e të lirë goditi shtyllën e portës së mbrojtur nga Hidi.
Edhe minutat e fundit kanë të bëjnë me estonezët. Kapiteni i Estonisë, Raio Piroja, u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë e rrjedhimisht të kuq, duke e lënë skuadrën e tij me dhjetë lojtarë nga minuta e 87-të.
Trajneri Kuzhe hedh në fushë lojtarët e mbetur në bankinë: Jetmir Sefa zë vendin e Jahmir Hukës në minutën e 88-të, e më pas mbrojtësi Andi Lila futet të të 91’ në vend të Armend Dallkut.
SKEDA
Estoni-Shqipëri 0:0
Estonia: Pareiko, Shishov(Jager 46’), Rahn (Klavan 46’), Piroja, Kruglov, Purje(Barengrub 88’), Dmitrijev, Vasiljev, Lindpere, Sag (Voskoboinikov 60’), Vikmae (Sidorenkov 46’).
Shqipëria: Hidi, Dallku (Lila 91’), Cana, Curri, Agolli, Duro, Skela, Hyka(Sefa 88’), Bakaj(Vila 71’), Lika(Muzaka 75), Salihi (Kapllani 75’). Trajner:J.Kuzhe
Gjyqtarë: Audrius Kancleris, A.Seskus, J. J.Lukjanciukas (Lit)
Kartonë të verdhë: Piroja(2)
Karton i kuq: Piroja 86’
NDESHJET ME ESTONINË
15.11.2003, miqësore
SHQIPËRI-ESTONI 2-0
Trajner Hans-Peter Brigel
Shënues: Aliaj 26’, Bushi 81’
28.04.2004, miqësore
ESTONI-SHQIPËRI 1-1
Trajner Hans-Peter Brigel
Shënues: Vikmae 80’/ Aliaj 51’
14.11.2009, miqësore
ESTONI-SHQIPËRI 0-0
Trajner Josip Kuzhe
SHQIPËRIA ME KUZHENË
ZYRTARE
Shqipëri-Portugali 1-2
Shqipëri-Danimarkë 1-1
Suedi-Shqipëri 4-1
MIQËSORE
Shqipëri-Gjeorgji 1-1
Shqipëri-Qipro 6-1
Estoni-Shqipëri 0-0
Bilanci: 6 ndeshje; 2 fitore, 2 barazime, 2 humbje. Golaverazhi: 10-9
Numri i klikimeve - 53
E Shtune, 14 Nentor 2009