Shqipëri, përmbyllet fushata
Demokratët dhe socialistët shqiptarë mbajtën të premten pasdite mitingjet përkatëse, me të cilët mbyllën fushatat e tyre para zgjedhjeve të 8 majit.
"Aleanca për të Ardhmen" e Partisë Socialiste u mblodh edhe njëherë të premten, në orën 18, në bulevardin Dëshmorët e Kombit, para ndërtesës së Kryeministrisë. Kësaj here jo për të mbajtur ndonjë protestë, por një miting, nga i cili u drejtuan thirrjet e fundit për të marrë votat e qytetarëve shqiptarë.
Vetëm një orë më vonë, “Aleanca për Qytetarin” e Partisë Demokratike u mblodh në sheshin Nënë Tereza, ku u shpalos vizioni i tyre, me të cilin do të kërkuan besimin e qytetarëve përmes votës.
Rruga që ndan hotelin Rogner dhe Kryeministrinë ishte njëlloj vije ndarëse mes dy mitingjeve. Mirëpo, meqë policia ndërmori me kohë të gjitha masat për të garantuar ecurinë normale të dy takimeve elektorale, përfshirë këtu edhe ndalimin e qarkullimit të automjeteve duke filluar nga ora 17 e deri në orën 21, nuk u shënua asnjë ekses që vlen të përmendet. Mbetet që edhe dita e zgjedhjeve të kalojë njësoj.