Shqipëri, trefishohet eksporti drejt Kosovës

Prodhimet bujqësore në Shqipëri kanë përmirësuar këtë muaj bilancin tregtar, në krah të eksporteve.
Llogariten rreth 20 milionë dollarë mallra bujqësorë të eksportuar drejt vendeve të huaja.
Sipas, zëvendës-ministrit të Bujqësisë, prodhimet e vendit tonë po tregtohen kudo në Europë, deri në Gjermani e Slloveni.
Gjithashtu, sipas tij, është trefishuar edhe eksporti drejt Kosovës.
Fruta-perimet shqiptare po tregtohen kudo nëpër tregjet e Europës, deri në Gjermani dhe Hungari.
Për çdo vit prodhimet bujqësore po njohin një rritje të konsiderueshme.
Zv/ministri i Bujqësisë, Ndoc Fasllia, thekson në një intervistë për “ABC News” se eksportet për këtë vit janë rritur me rreth 40 për qind.
Gjithashtu, sipas numrit 2 të Bujqësisë, gjatë kësaj periudhe janë shtuar eksportet e prodhimeve bujqësore edhe drejt Kosovës.
Fasllia thekson edhe se dikasteri i bujqësisë dhe i mbrojtjes së konsumatorit, ka bërë monitorimin e çmimeve në tregje, duke konfirmuar se ato kanë rënë me 10 për qind.
Ai parashikon mos-ndryshim të këtyre çmimeve edhe për tre muaj të tjerë.
Fruta-perimet që eksportohen vijnë nga Ultësira Perëndimore e vendit, si Lushnjë, Fier dhe Berat. Ndërsa më pas nis, eksporti i frutave që rriten në zonën e Korçës.