Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja, një paketë e vetme turistike
Nis realizimi i projektit italian për markën “Adrion”
Operatorët turistikë në vendet e rajonit që laget nga detet Adriatik dhe Jon po synojnë të organizohen dhe ofrojnë për turistët e huaj dhe vendas paketa turistike të përbashkëta, duke krijuar një markë të vetën të quajtur “Adrion” që të promovojë identitetin e zonës. Në këtë mënyrë po kërkohet adaptimi i një sistemi standard për rregullimin e ofertave turistike të qëndrueshme nga pikëpamja ekonomike dhe shoqërore. Përmes një projekti të financuar nga rajoni Marke në Itali, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës dhe partnerët lokalë të projektit në të tri vendet ku do të zhvillohet, Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal i Zi synohet krijimi i terrenit të duhur përmes forcimit të ofertës turistike të integruar dhe një sistemi publik/privat brenda rajonit si faktor strategjik për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm të zonës. Ekspertët dhe operatorë të njohur italianë do të përcjellin përvojën e tyre dhe aktivizojnë rrjetin në vendet e rajonit drejt një turizmi cilësor dhe marketingu tërheqës në fushën e turizmit. Projekti që do të shtrihet në të tri vendet pritet të krijojë dhe rrjetin e operatorëve që punojnë në industrinë e biznesit turistik për të promovuar vendet Adriatik-Joniane si një destinacion turistik që ofron kënaqësi dhe infrastrukturë. Seminare dhe trajnime dyditore parashikohet të organizohen dhe në Mal të Zi e Bosnjë-Hercegovinë për t'u kurorëzuar me një përfaqësim në panairin ndërkombëtar të turizmit në Berlin që zhvillohet pranverën e këtij viti. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës në bashkëpunim me “Promadria” (shoqata për promovimin e zhvillimin ekonomik të zonës së Adriatikut) dhe Forumin e Dhomave të Tregtisë së pellgut të Adriatikut dhe Jonit po organizojnë nga dita e hënë seminarin mbi turizmin dhe projektet e përbashkëta të rajonit në këtë sektor, si pjesë të aktiviteteve të projektit që është një bashkëfinancim në bazë të ligjit 9/2002 të rajonit Marke në Itali. Analizimi i tregut turistik dhe idetë për përmirësim të tij janë një tjetër synim i projektit. Andrea Xhavara, kryetar i Dhomës së Tregtisë Durrës tha se në kuadrin e këtij projekti janë gjetur dhe vazhdon puna për të thithur të tjerë operatorë turistikë privatë që të përfshihen në seminare dhe trajnime për të analizuar dhe zhvilluar paketa turistike si pushimet në disa vende brenda shteteve të pellgut Adriatik-Jon dhe krijuar një rrjet të agjencive dhe operatorëve turistikë që do të bashkëpunojnë për krijimin e këtyre ofertave të të pushuarit, bërit turizëm në disa vende. Operatorët turistikë do të ndalen dhe në analizimin e veprimeve të përbashkëta të marketingut për promovimin e paketave turistike Adriatik-Jon me mbështetjen e projektit “ADRION Tour” dhe në këtë kuadër aktiviteti më i afërt duket pjesëmarrja e përbashkët në panairin e ardhshëm “ITB International Fair of Berlin” në Gjermani.
#