Kukës, piratët triumfojnë mbi agjencitë e licencuara të udhëtimit
Vëzhgimi
Situata mbetet e pandryshuar prej vitesh. Bashkia: Nuk kemi fuqi, të punojë edhe policia
Transporti i udhëtarëve kryesisht nga Kukësi në Tiranë, por edhe në drejtime të tjera ka qenë dhe mbetet një problem shqetësues për të gjithë. Për bashkinë, për policinë e qarkullimit rrugor, për agjencitë e licencuara të transportit, për shoferët e furgonëve me licenca, si dhe për vetë pasagjerët. është pothuajse një problem historik që të paktën për kuksianët nuk ka gjetur zgjidhje prej dekadash.
Në Bashkinë e Kukësit ka rreth 30 furgonë taksi të licencuar, të cilët shpesh mbeten pa punë për shkak të konkurrencës së pandershme që u bëjnë taksitë pirate dhe për këtë ata fajësojnë shtetin në tërësi, pa hyrë në detaje se cila strukturë përgjigjet. Por fakt është se ata nuk ndihmohen nga askush në këtë drejtim. Furgonë të ndryshëm me targa të bardha mbushen me pasagjerë edhe pse një gjë të tillë e ndalon ligji. Shoferët e palicencuar nuk respektojnë ndonjë radhë në stacion, por zbresin e marrin njerëzit për krahu. Kjo situatë është prezente prej kohësh, por në periudha të caktuara bie më shumë në sy, pasi drejtues të palicencuar mjetesh hyjnë në linjë me pretendimin se akoma ndodhen në afat për të plotësuar dokumentacionin e duhur. Kjo situatë cilësohet nga shoferët e rregullt për transport udhëtarësh si skandaloze dhe se për ta nuk mbetet rrugë tjetër veçse t’i shmangen edhe ata formës ligjore. “Kam shumë vite që bëj rrugën Kukës-Tiranë dhe me këtë punë kam mbajtur familjen, por konkurrenca e pandershme është bërë e papërballueshme, ose duhet të lëmë punën ose të mos paguajmë taksat e shtetit, rrugë tjetër nuk ka, edhe ne duhet të hamë”, tha një shofer furgoni nga Kukësi, i licencuar për taksi. Ai shtoi se bashkia i kishte detyruar dy vjet më parë të ndryshonin telajon e furgonëve për të fituar licencën, por shumë pak të tillë sheh në stacion, shumica nuk e kanë “uniformën” e kërkuar nga bashkia.
Dy vjet më parë rreth 20 shoferë furgonësh zhvilluan një protestë para bashkisë me kërkesën: “Na mbroni nga informaliteti!” Por asgjë nuk ndodhi.
Burime të Bashkisë Kukës thonë se ky është një problem i vazhdueshëm që shoqëron shoferët e kësaj linje dhe se për këtë çdo ditë dërgohen forca të Policisë Bashkiake për të vendosur rregull. “Kemi dërguar policët tanë me qëllim që të mos lejojnë automjete të palicencuara të hynë në linjë, por është një proces mjaft i vështirë, ne nuk mund t’i lëmë policët e bashkisë për afate të gjata aty pasi edhe Policia e Shtetit ka detyra të përcaktuara”, tha Bilbil Keraj, nënkryetar i bashkisë. Ai shtoi se bashkia do të bëjë një “filtrim” të atyre që paguajnë taksat për të dalluar me qartë kush janë abuzuesit.
Agjencitë e transportit të udhëtarëve janë shumë të limituara në mjete dhe në mundësi. Një agjenci autobusësh që ekziston prej shumë vitesh është vënë në vështirësi pikërisht prej piraterisë së furgonëve pa licencë. Një drejtues i agjencisë “Laçi” tregon së konkurrenca e pandershme e ka detyruar të heqë nga linja autobusin e mbrëmjes, si dhe të reduktojë edhe linjat e paradites. Duke parë gjendjen mbërrijmë në konkluzionin se abuzuesit me rregullin ia kanë dalë të mundin shtetin dhe çdo strukturë tjetër, aq sa udhëtarët pranojnë të udhëtojnë jo vetëm pa pasur biletën, por duke pranuar edhe çmime të ndryshuara në ditë festash apo në kohë me dëborë. Dhe pasagjerët nuk i mbron askush, ashtu siç nuk del i mbrojtur nga shteti ai që respekton rregullat e shtetit.
#