Ngricat mbajnë mbërthyer Veriun, vështirësi në rrugë
Moti
Probleme në rrethet e Dibrës dhe Kukësit, ku në shumë akse nevojitet përdorimi i zinxhirëve
Verilindja e vendit vazhdon të mbetet nën pushtetin e akullit dhe të ftohtit. Kështu në Dibër, shtresat e akullit kanë qenë prezente në të gjitha akset rrugore, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve. Por me gjithë vështirësitë, akset nacionale: Peshkopi-Tiranë, Peshkopi-Kukës janë mbajtur nën kontroll. Drejtues të Ndërmarrjes Rajonale të Rrugëve tregojnë se aksi tjetër nacional, Ura e çerenecit-Klenjë, mbetet i pakalueshëm në një segment të tij në fushën e Klenjës, ku trashësia e dëborës shkon mbi 40 centimetra. Ndërkohë, në akset tjera rrugore asfalti ka zënë akull, gjë që ka vështirësuar lëvizjen e automjeteve. Për mbajtjen hapur të këtyre akseve rrugore po punohet për hedhjen e kripës. Kështu, si rezultat i hedhjes së kripës, rruga nacionale Peshkopi-Tiranë, është totalisht në kontroll pa asnjë segment të vështirë për qarkullim si rezultat i hedhjes së kripës. Të bllokuara rezultojnë rrugët rurale të komunave: Lurë, Kala e Dodës, Selishtë, Klenjë, Xibër-Murrizë, Derjan etj. Sipas shtabit të emergjencave në prefekturë, mësohet se po mbahen lidhje me të gjitha komunat dhe sipas njoftimeve zyrtare nuk ka pasur raste emergjence apo ndërprerje të energjisë elektrike. Ndërkohë, në Kukës kanë vijuar problemet me qarkullimin në akset kombëtare të Qafës së Malit, të Shishtavecit etj. Burime nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve bëjnë të ditur se aksi Kukës-Tiranë është i kalueshëm, por siç pohojnë ekspertët e qarkullimit rrugor, gjatë orëve të natës është mjaft i rrezikshëm kalimi në Qafë-Shllak dhe në Qafë-Mali, pasi temperaturat zbresin 14 gradë nën zero. Ndërkaq, mjaft problematike ka qenë dhe rruga Kukës-Shishtavec. Rruga ka qenë e kalueshme vetëm për një numër të kufizuar mjetesh. Në rrethin e Kukësit mbeten ende të bllokuara rrugët rurale të Zapodit, Arrnit, Grykës së çajës etj., si dhe rruga kombëtare Kukës-Peshkopi.
#