Dëmshpërblimi për përmbytjet, zbulohet vlera për çdo zë
Dëmet në banesa do të llogariten me çmimet e qytetit
Kur kanë kaluar 25 ditë që kur zona e Nënshkodrës dhe Lezhës u përmbytën, qeveria shqiptare ka nisur përllogaritjen e dëmeve. Gazeta “Shqip” ka arritur të sigurojë vendimin e ekzekutivit shqiptar, ku janë përcaktuar qartë vlera në lekë që qeveria do të japë si dëmshpërblim për dëmet e pësuar. Kështu, në vendim janë përcaktuar qartë shuma në të holla që do të jepet për humbjet dhe dëmet në bagëti, orendi shtëpiake, banesa, madje deri dhe për bimët dekorative. Kështu janë përcaktuar qartë sa do të dëmshpërblehet një hardhi, një ulli, një pemë frutore deri dhe kokrrat e lakrës dhe qepët e njoma.
“Pas vlerësimit të dëmeve në ndërtesa banimi, objekte biznesi, ndërtesa me karakter bujqësor etj., llogaritja të bëhet me çmim sipas zërave të punimeve të ndërtimit, miratuar për qytetin e Shkodrës apo Lezhës për vitin 2008 nga Enti Kombëtar i Banesave”, thuhet në pikën 8 të vendimit. Ndërsa në pikën 10 përcaktohen mënyra e vlerësimit për orenditë dhe pajisjet e dëmtuara në ndërtesa banimi. “Për pajisjet elektro-shtëpiake vlerësimi të bëhet në bazë të çmimit aktual, përcaktuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Për grupin orendi e mobilie të bëhet dëmshpërblim në lekë, në shumën 50000 lekë për frymë dhe jo më shumë se 200000 lekë”, thuhet në vendimin e qeverisë.Ndërkohë, shtabi i emergjencës civile ka shpallur nisjen e fazës së dytë të punës së tij që ka të bëjë me situatën pas përmbytjes. Në një komunikim me mediat, kreu i emergjencave civile, Alfred Olli, është shprehur se faza e dytë ka të bëjë me verifikimin e të gjitha dëmeve në terren nga grupet e ekspertëve dhe për çdo familje është vendosur të hapet një numër llogarie, ku do të depozitohen dhe shumat e dëmshpërblimit. Në këtë mënyrë do të shmangen pakënaqësitë dhe abuzimet e mundshme. Ndërkohë, është vendosur që ekspertët pas një njohjeje të situatave në çdo komunë, do të nisin punën në terren për verifikimin e dëmeve për çdo shtëpi. Në Qarkun e Shkodrës do të operojnë 135 ekspertë, të cilët janë ndarë në 9 grupe pune. çdo grup pune do të përbëhet nga 15 persona, të cilët janë specialistë të ministrive të Brendshme, Transportit, Bujqësisë, Arsimit, Shëndetësisë, Ekonomisë dhe Energjetikës, ndërkohë që brenda grupit të ekspertëve do të jenë edhe përfaqësues të shtabit të emergjencave civile të Qarkut Shkodër, të Bashkisë Shkodër, të ALUIZNIT dhe përfaqësues të komunave përkatëse. Ndarja në 9 grupe të ekspertëve korrespondon me numrin e zonave të prekura nga përmbytjet: Bashkia e Shkodrës dhe 8 komuna. Në këtë mënyrë çdo grup pune do të operojë në një zonë të caktuar, për të nisur shqyrtimin në terren të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e këtij fillimviti.
#