E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spekullimet me cmimet, Bashkia e Tiranës, kontroll në tregje

TIRANË- Bashkia e Tiranës gjatë ditëve të fundit ka verifikuar disa spekulime me çmimet që ofrojnë subjekte të ndryshme tregtare. Pas kontrollit të ushtruar është konstatuar një diferencë mes çmimeve të shpallura për artikuj dhe shërbime, krahasuar me çmimet që faktikisht u ngarkohen në fatura qytetarëve të Tiranës.

Për rrjedhojë, inspektorë të Bashkisë u kanë kërkuar këtyre subjekteve që brenda muajit gusht, të rakordojnë çmimet e shpallura për mallrat dhe shërbimet me faturat që u ngarkohen konsumatorëve. Në të kundërt, nëse nuk respektohet ky afat, këta operatorë do të përballen me sanksione të parashikuara në ligj.

Në njoftim gjithashtu thuhet se Bashkia e kryeqytetit, ka ushtruar kontroll në tregjet e kryeqytetit për praninë abuzive të lendëve të rrezikshme. Inspektoriati i Bashkisë, ka konstatuar rreth 20 subjekte, të cilët tregtojnë bombola gazi, perkrah artikujve të tjerë ushqimorë dhe jo ushqimore, nga të cilët vetëm 3 kanë autorizimin përkatës. Bashkia, në bashkëpunim me Policinë e Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, ka paralajmëruar se do t’i penalizojë këto shkelje, nëse subjektet nuk do të respektojnë afatin që u është lënë nga autoritetet deri më datën 1 shtator.

Strukturat e Drejtorisë së Kontrollit Urban të Bashkisë kanë evidentuar 24 subjekte, kryesisht tregtare ambulante, të cilët tregtojnë pesticide dhe helme në vende të hapura, të pasigurta dhe jashtë kontrollit. Këtyre tregtarëve, strukturat e Bashkisë u kanë lënë afat deri më 1 shtator për t’u larguar, në të kundërt ndaj tyre do të merren masa ligjore.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›