"Përgjaket" Shkodra, në një vit shënohen 109 aksidente
SHKODER-Qarku i Shkodrës po e mbyll vitin 2009 me një bilanc të madh vdekjesh nga aksidentet rrugore. Deri tani numërohen 24 të vdekur dhe 120 të plagosur. Mungesa e sinjalistikës në rrugët nacionale apo dhe brenda në qytet, investimet që po bëhen në akse të ndryshme rrugore, si dhe moszbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor, janë shkaqet kryesore që kanë çuar në shtimin e aksidenteve. Këtë vit nuk kanë munguar dhe viktimat e aksidenteve në rrugët kryesore të qytetit të Shkodrës. Në kryeqendrën e veriut mungojnë semaforët, ndërkohë që dhe numri i punonjësve të qarkullimit rrugor në qytet është i pakët. Drejtues të Drejtorisë së Policisë së Shkodrës pohojnë se shërbimet e Policisë Rrugore gjatë kësaj periudhe janë angazhuar për parandalimin, konstatimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, në veçanti ndaj atyre që janë burim aksidentesh. Kjo me qëllim parandalimin e tyre, rregullimin e trafikut dhe rritjen e sigurisë rrugore. Por me gjithë punën e bërë, aksidentet kanë qenë të pashmangshme. Rruga e Velipojës dhe Shkodër-Lezhë janë konsideruar sipas specialistëve, si akset më të rrezikshme për aksidente. Gjatë vitit 2009 janë konstatuar 31.100 kundravajtje administrative me vlerë të gjobave 23.145.000 lekë, ndërsa gjatë vitit 2008, ky numër ka qenë më i madh. Për vitin 2009 janë pezulluar 276 leje drejtimi, si dhe janë bllokuar për shkelje të ndryshme 882 automjete. Ndërsa në vitin 2008 janë pezulluar 169 leje drejtimi dhe 609 mjete të bllokuara. Shtimi i numrit të mjeteve të bllokuara dhe pezullimit të lejeve të qarkullimit për 2009-ën, sipas krerëve të policisë së Shkodrës, ka ardhur për shkak të shtimit të kontrolleve nga sektori i Qarkullimit Rrugor. Megjithëse janë shtuar kontrollet, nuk është bërë e mundur të shmangen aksidentet. Gjatë këtij viti kanë ndodhur 109 aksidente me 24 të vdekur dhe 120 të plagosur. Sipas të dhënave të bëra publike mësohet se nga të plagosurit, 57 kanë qenë me dëmtime të rënda dhe 63 me dëmtime të lehta. Krahasuar me vitin 2008, numri i aksidenteve ka pësuar rritje. Një vit më parë janë shënuar 81 aksidente, me 22 të vdekur dhe 94 të plagosur. Sipas krahasimeve të bëra, del se këtë vit janë evidentuar 28 aksidente me shumë. Sezoni i verës solli mbingarkesë për rrugorët, pasi fluksi i pushuesve në plazhin e Velipojës ka qenë dy herë më i madh se ai i vitit të kaluar. Tani që jemi në periudhë festash dhe fluksi i lëvizjeve të automjeteve në rrugët e Shkodrës shtohet shumë për shkak të ardhjes së emigrantëve dhe lëvizjeve në Mal të Zi të qytetarëve, Drejtoria e Policisë së Shkodrës ka vendosur që në ndihmë të sektorit të Qarkullimit Rrugor të vendosë efektiva të tjera blu. (d.b/GSH/BalkanWeb)