E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH: “Mësimi në Gërdec ka filluar në masën 93 për qind”



Jonida Tashi

Ministria e Arsimit ka publikuar dje hartën e zonave të dëmtuara nga shpërthimi në Gërdec, në të cilat procesi mësimor ka rinisur. Sipas MASH-it, në Gërdec 93 për qind e nxënësve kanë filluar mësimin. Halit Shamata, zëvendësministër i Arsimit, bëri të ditur se në shkollat e Drejtorisë Arsimore Rajonale (DRA) Durrës, ku natyra e dëmtimit të shkollave ka qenë më i lehtë mësimi ka filluar që në datën 17 mars. Ndërsa në shkollat e Drejtorisë Arsimore Rajonale (DAR) Tiranë, mësimi ka rinisur në 17 mars në Shkollën e Mesme të Bashkuar Prezë, 9-vjeçare Fushë-Prezë, Gjokaj, Picar, Kuç, Laknas. Të mërkurën e kësaj jave mësimi rifilloi edhe në fshatin Marqinet si dhe në shkollën e mesme në Vorë. Shamata ka sqaruar se në shkollën 9-vjeçare Vorë po vazhdon riparimi i dëmeve. Ndërsa në Marikaj, edhe pse riparimi i shkollës ende nuk ka përfunduar, mësimi ka rifilluar për të gjithë nxënësit. Në Rubjek-Maminas, për shkak se shkolla është e vjetër ka nevojë për ndërhyrje të mëtejshme. Më tej, Halit Shamata ka sqaruar se pas situatës së krijuar DAR Tiranë dhe Durrës kanë siguruar listat e teksteve që duhen në këtë zonë dhe ua kanë dhënë këto lista shtëpive botuese, të cilat janë ofruar për t’u dhuruar tekstet që duhen nxënësve të kësaj zone. Gjithashtu, MASH ka siguruar një shërbim psikologjik për nxënësit me 12 psikologë më të përgatiturit të dërguar nga Tirana dhe Durrësi për fëmijët e dëmtuar. Sipas të dhënave nga MASH, në shkollat Durrës e Tiranë që u dëmtuan nga shpërthimi mësojnë gjithsej 4100 nxënës.

Në Marqinet
211 nxënës kanë filluar mësimin
8 nxënës mungojnë
27 nxënës janë në shkollat e Durrësit
3 në Fushë-Krujë
8 në komunat e Tiranës
2 në Tiranë
4 në Librazhd
3 në spital
Në Gërdec
82 nxënës mësojnë në Durrës
10 në Vorë
8 në fshatrat e Tiranës
2 Burrel
1 Gramsh

Ndoka takon të plagosurit e Gërdecit në Brindisi

Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ka vizituar të plagosurit në spitalet e Brindisit dhe ata që po kurohen në Bari. Ministri u interesua për gjendjen e të plagosurve, për protokollet e mjekimit, për gjendjen e familjarëve si dhe takoi vetë të plagosurit, të cilët marrin shërbimin në spital. Gjatë këtyre vizitave, ministri është shoqëruar nga konsulli shqiptar në Bari, Artur Shehu. Më pas ai u prit nga zëvendësministri i Shëndetësisë italiane, senatori Antonio Galione, prefekti i Brindisit, Mario Taffaro, nga këshilltari i Rajonit të Pulias, Giusepe Romano etj. Ndoka falënderoi përfaqësuesit në emër të qeverisë shqiptare për gatishmërinë e treguar dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer, jo vetëm në fazën e emergjencës, të cilën e shkaktoi situata e krijuar në Gërdec, por edhe për bashkëpunimin në fushat e tjera të shërbimit shëndetësor. Gjithashtu, ministri Ndoka falënderoi edhe përfaqësuesin më të lartë të pushtetit lokal të Rajonit të Pulias, zotin Taffaro, për mbështetjen ndaj familjarëve që shoqërojnë të plagosurit, për pajisjen e tyre me leje qëndrimi, si dhe akomodimin e tyre pranë familjarëve të shtruar. Në takim u hodh ideja e “Shëndetësisë pa kufi”, sepse të gjithë mund të kenë nevojë në raste emergjencash dhe fatkeqësish për ndihmë, sidomos vendet fqinje. Pranë spitaleve të Brindisit dhe të Barit gjenden edhe bashkatdhetarë të organizuar, të cilët në kontaktin me ministrin Ndoka morën edhe orientime për t’u qëndruar pranë të afërmve dhe familjarëve, të cilët, sipas Ndokës, kanë realisht nevojë për mbështetje shpirtërore.

29 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›